Miratohet Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme
Foto: Laura Hasani

Miratohet Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Ekonomia March 30, 2026 - 10:29

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të hënën ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se ky moment shënon fillimin e një rrugëtimi të gjatë drejt jetësimit të kësaj nisme reformuese, e cila sipas saj buron nga nevoja për forcimin e instrumenteve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ky moment shënon edhe fillimin e një rrugëtimi maratonik pothuajse pesëvjeçar drejt jetësimit të kësaj nisme reformuese, e cila bazuar në analiza dhe hulumtime paraprake derivon nga nevoja e shtimit të instrumenteve dhe kompletimit të infrastrukturës ligjore në fushën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Projektligji tashmë bazohet edhe në tre opinione të Komisionit të Venecias dhe dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese. Këto rekomandime janë reflektuar në tekstin e projektligjit, i cili është punuar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë fushë, vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues institucionalë dhe partnerë ndërkombëtarë, duke përfshirë konsultime teknike dhe analiza krahasimtare për të siguruar që dispozitat të jenë të zbatueshme, proporcionale dhe të mbrojtura me Kushtetutë”, tha ajo.

Ajo shtoi se, pavarësisht se projektligji është miratuar disa herë më parë, ai po ridërgohet për miratim si pasojë e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

“Ky ligj ka një objektiv të qartë: të krijojë një mekanizëm funksional dhe kushtetues për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publikë. Struktura e ligjit bazohet në disa shtylla kryesore: Themelimi i një institucioni të pavarur me mandat të qartë. Përcaktimi i kritereve të rrepta për udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e tij Procedurë e detajuar e verifikimit me afate të qarta. Prag minimal për mospërputhjen financiare. Garanci të plota procedurale për palën, përfshirë të drejtën për mbrojtje, përfaqësim dhe ankesë. Qëllimi i ligjit është i dyfishtë Së pari, të forcojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë duke bërë të qartë se pasuria duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e ligjshme. Dhe së dyti, të ruajë standardet kushtetuese dhe të drejtat themelore, duke siguruar që çdo ndërhyrje në pronë të bëhet vetëm me vendim gjyqësor dhe mbi bazë provash”, tha ajo. /eo