Kurti paralajmëron ligj për çmimet tavan, kundërshton propozimin për heqjen e TVSH-së dhe akcizës për karburantet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova mbetet plotësisht e varur nga importi i naftës, duke theksuar se mungesa e burimeve vendore dhe e rafinerive e bën vendin të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Sipas tij, kjo situatë ndikon që kostot e rritura jashtë vendit të reflektohen edhe më fort në tregun e brendshëm, duke rënduar mbi qytetarët.
Ai theksoi se Kosova jo vetëm që nuk prodhon naftë, por as nuk ka kapacitete për përpunimin e saj, çka e shton ndikimin e inflacionit të importuar.
Kurti ka kundërshtuar propozimet për heqjen e TVSH-së dhe akcizës për karburantet, duke i cilësuar ato si të pamenduara mirë dhe të pabazuara në praktika të suksesshme ekonomike. Sipas tij, masa të tilla mund të përfundojnë duke favorizuar përfitimet e kompanive, në vend që të lehtësojnë barrën e qytetarëve.
Ai shtoi se edhe vende të fuqishme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me rritjen e kostove si pasojë e zhvillimeve ndërkombëtare, duke përmendur ndikimin e konfliktit në ngushticën e Hormuzit në tregjet globale të energjisë.
“Bindja ime e fuqishme është që këto propozimet për heqje të TVSH-së e të akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen në përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike. Është e rëndësishme që të kemi kujdes, të mos i shërbejmë super profitit të ndokujt në vend se t’ua zbusim barrën qytetarëve. Edhe vetë shteti më i fuqishëm si SHBA-ja është duke e vuajtur koston e luftës që po zhvillohet në ngushticën e Hormuzit”, deklaroi Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Në këtë drejtim, kryeministri njoftoi se Qeveria është duke përgatitur një ligj për vendosjen e tavanit të çmimeve për produktet bazë. Ai theksoi se një nismë e tillë është vonuar në të kaluarën për shkak të sfidave ligjore dhe ankesave në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por shprehu bindjen se ligji do të miratohet së shpejti.
“Do ta kemi edhe ligjin për tavanin e çmimeve të produkteve bazë, në fakt që tri vite do ta kishim po të pyesishëm vetëm ne, mirëpo Gjykata Kushtetuese në mandatin e kaluar u patë shndërruar në zyre për ankese dhe ankesat që shkonin aty nga opozita – ka qenë njëfarë aktivizmi juridik se vetëm çka na vononin, nuk do të ishim në këtë gjendje po ta kishim atë ligj, por do ta kemi së shpejti”, deklaroi Kurti.