Komisioni për Buxhet miraton projektligjin për marrëveshjen e kredisë për sektorin financiar, kundërshtohet nga PDK-ja

Komisioni për Buxhet miraton projektligjin për marrëveshjen e kredisë për sektorin financiar, kundërshtohet nga PDK-ja

Ekonomia April 01, 2026 - 12:45

Komisioni për Buxhet ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës, ani pse Partia Demokratike e Kosovës doli kundër kësaj kredie.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, prezantoi marrëveshjen dhe shpjegoi komponentët kyçë, duke thënë se kjo marrëveshje është negociuar dhe finalizuar në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të forcuar stabilitetin financiar në Kosovë.

“Kjo marrëveshje është negociuar dhe finalizuar në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të forcuar stabilitetin financiar në Kosovë. Marrëveshja parashikon mbështetje financiare për një sërë institucionesh dhe reformash të ndryshme sa i përket sektorit financiar. Konkretisht, do të ndalesha në katër komponentët kyç: Banka Zhvillimore: Marrëveshja parashikon themelimin dhe financimin e kapitalit fillestar të Bankës Zhvillimore, pra një projekt tepër i rëndësishëm dhe prioritet për qeverinë tonë. Fondi për Garanci Kreditore: Marrëveshja parashikon edhe shtimin e kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore, pra për dritare të reja shtesë që të përmirësohet qasja në financim për ndërmarrjet e vogla, mikro dhe të vogla e të mesme. Fondi për Sigurimin e Depozitave: Marrëveshja parashikon mbështetjen e Fondit për Sigurimin e Depozitave në ndryshimin e kornizës ligjore, po ashtu edhe në shtimin e kapitalit shtesë në mënyrë që depozitat e siguruara në bankat komerciale, niveli të ngrihet nga 5,000 euro sa është aktualisht në 10,000 euro. Për momentin, deri në 5,000 euro secila llogari janë depozita të siguruara dhe të garantuara që kthehen në rast të ndonjë eskalimi, ndërkohë synimi është që kjo shumë të çohet në 10,000 euro. Integrimi në SEPA: Komponenta e katërt ka të bëjë me integrimin e Kosovës në SEPA apo Single Euro Payment Area, që nënkupton transferta apo kosto të transfertave tepër më të ulëta se sa ato që janë aktualisht. Sipas një studimi të bërë nga German Economic Team, del se diku 58 milionë euro në vit është kostoja shtesë që qytetarët dhe bizneset e Kosovës paguajnë si tarifa në sektorin bankar për këto transferta ndërkombëtare apo edhe në kuadër të dërgesave përmes remitancave, me integrimin në SEPA kjo do të eliminohet”, tha Murati.

Nënkryetari i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Gashi, tha se PDK-ja është kundër marrjes së kredisë.

“Ashtu qysh e tha edhe ministri, një prej komponentëve të kësaj marrëveshje, të kësaj kredie, është paraparë edhe asistencë teknike për Bankën Zhvillimore. Rrjedhimisht, ne mendojmë që nuk ka nevojë Kosova ta marrë një borxh të tillë, një kredi të tillë për një asistencë teknike, të cilën ne jemi të bindur që kjo mund të mbulohet nga vetë ju, domethënë nga ministria, për shkak se buxheti i Republikës së Kosovës e mundëson një gjë të tillë. Duke pasur parasysh që kemi shumë marrëveshje dhe shumë kredi jo vetëm në seancën e ardhshme po kemi pasur edhe në të kaluarën, e po mendojmë që është e panevojshme një marrëveshje e tillë dhe një kredi e tillë për asistencë teknike për Bankën Zhvillimore dhe te kjo marrëveshje PDK-ja është kundër. Megjithëse qëndrimet tona më të gjera do t’i themi në seancën e radhës, kurse për marrëveshjet e tjera besoj do të kemi rast të flasim në pikat e tjera”, u shpreh Gashi.

Ndërsa anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, pati pyetje drejtuar ministrit Murati.

“Kam qenë një prej anëtarëve themelues të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore sa ka qenë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Pra, pyetja ime e parë është: çka dallon edhe në mision, po edhe në detyra, kjo Banka Zhvillimore që planifikoni të themeloni krahas Fondit Kosovar për Garanci Kreditore? Pra, cilat punë s’po mundet me i kry fondi, që pretendoni me i kry me Bankën Zhvillimore?, Pyetja tjetër—i kam tri-katër pyetje ministër, pastaj besoj përgjigjeni të gjithave në pako. Pyetja tjetër: thatë që do të merrni një pjesë të kredisë, është për kapitalin themeltar të Bankës Zhvillimore (më falni edhe një herë). Deshta të di nëse mund të na tregoni sa më saktësisht, pra sa milionë euro pretendohet të merren nga kredia për të shkuar drejt kapitalit themeltar? Dhe si ndërpyetje: pse me borxh kapitali themeltar? Besoj, nuk e di sa e ka koston, ndoshta edhe na thoni sa e ka koston kjo kredi, por ndoshta besoj që do të ishte me kosto më të ulët, për mos të thënë me kosto zero, nëse do të ishte me buxhet vetanak të kësaj Qeverie të Kosovës të ishte i tërë kapitali themeltar. Sa i përket sektorit privat financiar—pra në anglisht quhet “croëding out”—a do të ketë edhe mekanizma mbrojtës që kjo Bankë Zhvillimore mos të jetë dëmtuese, por komplementuese dhe përkrahëse për sektorin privat financiar? Nëse keni paraparë gjëra të tilla, na njoftoni neve dhe publikun”, tha Mustafa. /eo