I jepet drita jeshile kredisë 80 milionë euroshe nga Franca

I jepet drita jeshile kredisë 80 milionë euroshe nga Franca

Ekonomia April 01, 2026 - 12:48

Me nëntë vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Komisioni për Buxhet ka miratuar shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të bazuar në Politika.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, prezantoi këtë marrëveshje dhe koston e saj.

“Sa i përket kësaj marrëveshje, por edhe marrëveshjes pasuese, pra që do të jetë, sepse janë dy marrëveshje që realisht kanë të njëjtin synim; është kjo me Agjencinë Franceze për Zhvillim apo AFD dhe tjetra është me Bankën Zhvillimore Gjermane, KfW. Kjo është një marrëveshje në shumën prej 80 milionë, ngjashëm siç është edhe marrëveshja tjetër me KfW. Pra, janë dy marrëveshje me nga 80 milionë euro, të cilat synojnë argumentimin apo rritjen e mbështetjes të Republikës së Kosovës si vazhdimësi e asaj që kemi me Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian. Pra, janë dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Franca, të cilat kanë vendosur të na mbështesin si zgjatim apo si zgjerim i Planit të Rritjes, që e kemi në vlerë prej 882 milionë euro. Në këtë rast i kemi dy marrëveshje prej dy shteteve, pra me nga 10% secila, me nga 80 milionë, që në tërësi bëjnë 160 milionë euro. Dhe ideja e synimit këtu është që në kuadër të reformave që parashihen në Planin e Rritjes, të ketë thellim në reforma të mëtejshme sa i përket sektorit të energjisë. Pra, AFD franceze dhe KfW gjermane kanë vendosur të na mbështesin me reforma shtesë edhe në legjislacionin sekondar apo në reforma të tjera institucionale, të cilat nuk parashihen domosdoshmërisht në Planin e Rritjes në thellësinë e duhur. Pra, mund të ketë ndryshime apo akte ligjore, legjislacion primar që ndryshohet sa i përket Planit të Rritjes, ndërkaq me këto synimi është që të rregullohet pastaj edhe struktura e legjislacionit sekondar apo akteve nënligjore, por edhe reforma të ndryshme në institucionet që kanë të bëjnë me sektorin e energjisë. Pra, siç e thashë, marrëveshja synon të përshpejtojë tranzicionin e Kosovës drejt energjisë së gjelbër, duke vendosur dhe zbatuar një kornizë politike dhe ligjore plotësisht të harmonizuar me Acquis të Bashkimit Evropian dhe Komunitetit të Energjisë, si dhe me zotimet ndërkombëtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në këtë kuptim, pra objektivi i marrëveshjes është që gjithashtu t’i mundësojë Republikës së Kosovës të arrijë dhe përmbushë zotimet e saj ndërkombëtare, përfshirë edhe zotimet që rrjedhin nga Deklarata e Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Sa i përket kushteve të financimit, siç e thashë, vlera totale e kredisë është 80 milionë euro. Ndërkaq kohëzgjatja e saj është 12 vite kthim, me 3 vjet grejs periudhë, pra 15 në total. Ndërkaq norma e interesit parashihet të jetë e bazuar në Euribor 6-mujor, me tarifë të zotimit 0.5% në vit”, tha Murati.

Në mbledhje janë miratuar edhe pikat e tjera të rendit të ditës. /eo