Kusari-Lila takon ambasadorin Hargreaves, flasin për forcimin e partneritetit me Mbretërinë e Bashkuar për zhvillim dhe investime
Foto: Laura Hasani

Kusari-Lila takon ambasadorin Hargreaves, flasin për forcimin e partneritetit me Mbretërinë e Bashkuar për zhvillim dhe investime

Ekonomia April 01, 2026 - 13:46

Ministrja e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, ka takuar ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves

Në këtë takim, siç ka njoftuar Kusari-Lila, kanë diskutuar forcimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“U fokusuam në nxitjen e mundësive të reja ekonomike dhe në rritjen e besimit të diasporës për të investuar në atdhe, duke e pozicionuar Kosovën si destinacion konkurrues për industri dhe ndërmarrësi. E njoftova Ambasadorin Hargreaves, për zhvillimin e 12 zonave industriale të gjelbërta, që do të ofrojnë kosto të ulëta operimi, qira afatgjata dhe shërbime të integruara, përfshirë partneritetet publiko-private dhe infrastrukturën moderne. Në fokus mbeten investimet dhe politkat tona në efikasitet energjetik, energji të ripërtëritshme dhe menaxhim të qëndrueshëm të ujit, në përputhje me standardet e BE-së dhe përgatitjet për CBAM 2027”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se Qeveria është e përkushtuar për përmirësimin e kornizës ligjore dhe rregullatore, si dhe për adresimin e sfidave të tregut dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.

“Bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar shtrihet në sektorë kyç si energjia, minierat, teknologjia dhe mbrojtja, me synim tërheqjen e investimeve dhe zgjerimin e mundësive për produktet kosovare. Kosova mbetet e hapur për investime, e përkushtuar ndaj reformave dhe e gatshme për një të ardhme ekonomike të qëndrueshme me partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar Kusari-Lila në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook.