Shteti ekzekutoi pagat me shtesë të rritur nga përvoja e punës, Murati ndan detaje
Përveç pagës së 13-të për të punësuarit në sektorin publik që marrin pagë nga buxheti, dje janë ekzekutuar edhe pagat e rregullta me shtesën e rritur nga përvoja e punës, ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Shtesa është rritur nga 0.25% në 0.50% për 15 vitet e para të përvojës, gjë që nënkupton rritje efektive të pagës për të gjithë të punësuarit”, ka shkruar Murati në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Ai theksoi se shtesa e rritur është paguar edhe për dy muajt e shkuar, janar dhe shkurt.
Sa i përket rasteve të grave në pushim të lehonisë që mund të mos jenë përfshirë dje në pagën e 13-të, Murati u bëri thirrje që ato t’u drejtohen menaxhmentit në institucionin ku punojnë.
“Listat e pagave përgatiten nga secili institucion përkatës, dhe ato janë përgjegjës për lëshimet eventuale, të cilat mund të korrigjohen në muajin vijues”, shtoi ai.