Rritet interesimi për fidane, prodhuesit vendorë zgjerojnë kapacitetet

Rritet interesimi për fidane, prodhuesit vendorë zgjerojnë kapacitetet

Ekonomia April 02, 2026 - 14:02

Tradita shumëvjeçare e kultivimit të fidaneve të perimeve në Kosovë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një veprimtari moderne dhe fitimprurëse. Rritja e kërkesës nga fermerët dhe avancimi i teknikave të prodhimit po e shtyjnë këtë sektor drejt profesionalizmit, duke rritur njëkohësisht edhe sfidat për cilësi dhe mbrojtje të bimëve.

Kultivimi i fidaneve në familjen e Korab Kabashit daton që nga viti 1970, ndërsa kjo veprimtari është trashëguar brez pas brezi. “Këtë veprimtari e kam trashëguar nga gjyshi, ndërsa dy vitet e fundit prodhimin e fidaneve e realizojmë në serrë profesionale”, thotë Korab Kabashi.

Sipas tij, kërkesa për fidane perimesh është rritur ndjeshëm.

“Krahasuar me dy vite më parë, kërkesa është rritur mbi 100 për qind dhe trendi vazhdon të jetë në rritje”, thekson ai.

Në fidanishte prodhohen disa lloje fidanesh, ndërsa çmimet këtë vit janë pak më të larta, për shkak të kostos së substratit, i cili kryesisht importohet nga shtetet baltike. Aktualisht, në këtë veprimtari janë të angazhuar shtatë punëtorë të rregullt, ndërsa gjatë sezonit numri i tyre arrin deri në 20, përfshirë edhe anëtarët e familjes.

Kabashi e konsideron këtë sektor si një veprimtari fitimprurëse, me potencial të madh zhvillimi.

Rritjen e kërkesës për fidane e konfirmon edhe agronomi Besim Sahiti, i cili këtë e lidh me ngritjen profesionale të fermerëve në vend.

“Fermerët janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për rëndësinë e fidaneve cilësore, prandaj edhe kërkesa është rritur dukshëm”, thotë Sahiti. Sipas tij, për prodhimin e një fidani të shëndoshë është i domosdoshëm menaxhimi i drejtë i kushteve mikroklimatike, ushqyese dhe fitosanitare.

“Një fidan cilësor arrihet vetëm përmes kontrollit të saktë të temperaturës, lagështisë dhe ushqimit të bimës”, shton ai.Sipas Kabashit, kushtet klimatike në Kosovë janë më sfiduese krahasuar me Shqipërinë, çka ndikon edhe në shfaqjen më të shpeshtë të sëmundjeve në fidanishte.

Ndërkohë, ligjëruesja në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, Lumta Dida, thekson rëndësinë e fazës së hershme të zhvillimit të bimës.

“Faza më e ndjeshme e bimës është ajo e fidanit, prandaj kujdesi në këtë fazë është vendimtar për zhvillimin e mëtejmë”, shprehet Dida.

Ajo shton se përzgjedhja e farës dhe substratit cilësor është hapi i parë për të parandaluar problemet. “Masa më e mirë për mbrojtje nga sëmundjet është parandalimi, duke filluar nga materiali bazë cilësor”, thekson ajo.

Sipas Didës, përveç faktorëve të jashtëm si klima, lagështia dhe insektet, sëmundjet mund të barten edhe nga vetë njeriu. “Patogjenët mund të përhapen përmes ajrit, insekteve, por edhe nga vetë ne gjatë punës me bimët”, paralajmëron ajo.

Ndryshimet klimatike kanë ndikuar gjithashtu në shtimin e sëmundjeve dhe paraqitjen e të rejave në bujqësi.

Nga ana tjetër, agronomi Sahiti veçon se kontrolli i kushteve klimatike është çelësi për menaxhimin më të lehtë të sëmundjeve, ndërsa ndër dëmtuesit më problematikë në fidanishte mbetet tripsi.

“Kontrolli i parametrave klimatikë është hapi i parë në menaxhimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve”, thotë ai.

Përveç mbrojtjes nga sëmundjet, rëndësi të veçantë ka edhe ushqimi i rrënjës dhe përdorimi i biostimuluesve, të cilët ndihmojnë në zhvillimin e fidaneve më të forta dhe të gatshme për mbjellje në fushë të hapur.

Megjithatë, sipas Kabashit, sektori përballet edhe me sfida. “Një ndër problemet kryesore është mosndarja e serrave për prodhim të fidaneve nga ato për prodhim të zakonshëm në kuadër të granteve mbështetëse”, përfundon ai./rtk