Tahiri: Çmimet e derivateve rrezikojnë të lënë toka djerrë
Foto: Laura Hasani

Tahiri: Çmimet e derivateve rrezikojnë të lënë toka djerrë

Ekonomia April 05, 2026 - 09:45

Rritja e çmimeve të derivateve të naftës ka ndikuar edhe tek bujqit.

Kryetari i Sindikatës së Bujqëve të Kosovës, Tahir Tahiri në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se rritja e çmimeve të naftës ndikon edhe në rritjen e çmimeve të prodhimtarisë bujqësore.

“Problem global dhe fatkeqësisht që na ka filluar tani fushata e mbjelljeve pranverore. Normal që kjo ndikon në ngritjen e kostos së prodhimtarisë së bujkut, i cili shumica dërrmuese e bujqve tanë çdo ngritje, çdo si të them ngarkesë e kësaj kostos së prodhimtarisë ndikon negativisht, gjegjësisht ndikon që mos të ketë përfitime të mëdha, nganjëherë edhe kemi edhe humbje tek këto raste. Mirëpo s’kemi çfarë të bëjmë, duhet të pajtohemi me fatin.

Bujku duhet të stimulohet në një farë forme, prej dikujt duhet të stimulohet, gjegjësisht të ndihmohet, të përkrahet në këtë telashe që i ka dalë. Unë mendoj se këtu ka dhe duhet të kërkojmë edhe fajtorin. Fajtori numër një është që është problem global, do të thotë ka ndikuar kjo krizë e Iranit me Amerikën. Mirëpo dikush duhet ta përkrahë në kuadër të shtetit vetë, qeverisë vetë dhe t’i ndihmojë bujkut që mos të prodhojë me humbje, mos të ketë telashe të mëdha”, tha Tahiri.

Ai tha se ndihma ad -hoc e qeverisë nuk është aspak e mirë, duke shtuar se pa naftë nuk ka prodhimtari bujqësore.

“Qeveria e pati çuar ligjin për çmimin tavan. E pati ofruar në parlament për miratim dhe u miratua, dhe për këtë për bujqit ishte një lajm i mirë. Po edhe për konsumatorët në përgjithësi. Megjithatë tash për tash mos aprovimi i këtij ligji për çmimin tavan e ka prekur bujkun. Dhe kush janë fajtorët se nganjëherë ne nuk dimë ta gjejmë atë lëmshin, atë fijen e lëmshit. Ne si sindikatë jemi të mllefosur në kapjen e institucioneve tona, duke filluar prej prokurorisë, gjyqësisë, tash fatkeqësisht na del nganjëherë edhe Gjykata Kushtetuese, sepse Gjykata Kushtetuese këtë ligj e anuloi.”

“Ndihma e qeverisë ad-hoc nuk është e mirë, por e mira kishte me qenë që me ligj të jetë një ligj ku në rast nevoje të ndërhyrjeve të ketë qeveria mundësi t’i ndihmojë qoftë konsumatorëve qoftë në këtë rast bujqve. Sepse bujku sot tokën e punon me mekanizëm bujqësor dhe pa naftë nuk ka punë, nuk ka prodhimtari bujqësore. Mekanizimi bujqësor nuk funksionon pa naftë. Bujku, unë e kam një veturë, unë mund të mos e ndez veturën s’humb asgjë, por nëse traktoristi nuk e ndez traktorin ka humbje. Humb ai vetë por humbim edhe ne si shoqëri”, tha Tahiri.

Tahiri e sheh si ndihmesë të madhe subvencionimin e bujqëve nga institucionet, por ka një kritikë për naftëtarët.

“Po tash kjo ngritja e çmimeve po del diku rreth 60% e ngritjes së çmimeve. 60% ngarkohet prodhimtaria bujqësore tek bujqit sepse ka edhe të tjera telashe bujku. Fatmirësisht sivjet çmimet e plehrave dhe repromaterialit tjetër nuk është më i lartë, do të thotë është barabartë me vitin e kaluar. Një e mirë është që bujku subvencionohet, po subvencionohet me subvencione jashtëzakonisht të përshtatshme dhe bujku është shumë i kënaqur. Bujkun qeveria e subvencionon edhe naftë edhe në plehra. Por kjo ngritja 70%, po them se unë nuk e di bash 100% sa është, kjo ngritje e ngarkon atë përqindje, me atë përqindje ngarkon edhe prodhimtarinë bujqësore. Ne si sindikatë kemi vërejtje te këta naftëtarët, që pjesa dërrmuese e tyre janë bërë miliarderë. Dhe tash kanë kërkuar t’ia heqin TVSH-në edhe akcizën. Pa u ngopur këta, edhe këta nganjëherë duhet të bëhen pjesë e asaj problemeve të bujqve. Pse jo edhe këta pak me e prek atë pasuri miliarderë, me thënë s’pua rritëm nja dy muaj ose tre muaj, s’pua rritëm, sepse prej asaj duarve të bujqve na po hamë bukë edhe po kemi prodhimtarinë tonë.”, tha ai.

I pyetur se a ka mundësi që bujqit të mos kenë leverdi për ta punuar tokën, Tahiri tha se ata nganjëherë po punojnë me humbje dhe se kjo po ndikon që toka të mos punohet.

“Shiko, unë kam shpresë se bujqit tanë kanë një traditë të kultivimit të tokave bujqësore nganjëherë edhe me humbje. Sepse ai nuk mund ta shohë tokën e vet djerrë. Ai nuk mund të humbë edhe vazhdimësinë, atë zinxhirin prodhues. Nëse tani nuk e bën, e humb një hap këtu, ai hap do t’i kushtojë më vonë sepse i mbetet toka djerrë. Ky qarkullimi i kulturave bujqësore luan rol jashtëzakonisht të madh. Dhe ky është një faktor që ne si sindikatë po shpresojmë se nuk do të ndikojë aq shumë që të mbeten sipërfaqe djerrë. A do të ketë? Po, do të ketë. Shumë bujq janë në gjendje që me pak send lodhen edhe bien. Prandaj po, me siguri ka me pasë raste që për mungesë leverdie, më mirë është për të ekonomikisht me e lanë tokën pa punuar sesa me hy me punu me humbje”, tha Tahiri. /eo