Teleferiku i Gërmisë - Sveçla kritikon për mungesë buxheti e Rama premton realizimin
Foto: Laura Hasani

Teleferiku i Gërmisë - Sveçla kritikon për mungesë buxheti e Rama premton realizimin

Ekonomia April 08, 2026 - 11:17

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas paralajmërimit të kryetarit të komunës, Përparim Rama, për rikthimin e teleferikut në parkun e Gërmisë.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Sveçla ka theksuar se në buxhetin e komunës për vitin 2026 nuk figuron asnjë kod buxhetor për këtë projekt.

“Asnjë euro nuk është ndarë, as për studim, hulumtim apo analizë. Po flasim për një projekt që promovohet publikisht, por nuk është i planifikuar financiarisht”, shkroi ai.

Ai ka ngritur shqetësimin për gjendjen e Gërmisë, duke theksuar se parku, i mbrojtur ligjërisht, po përballet me presion nga ndërtimet përreth dhe kanalizimi i hapur që derdhet në rrugë, duke rrezikuar ambientin.

“Megjithatë, Gërmia mbetet ende oaza e vetme e gjelbër e Prishtinës dhe nuk guxon të trajtohet si terren eksperimentesh”, ka shtuar Sveçla.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se rikthimi i teleferikut synon jo vetëm ringjalljen e një simboli të dikurshëm, por edhe krijimin e mundësive për aktivitete sportive dhe rekreative për qytetarët.

Ai ka theksuar se projekti po planifikohet në përputhje me standardet mjedisore dhe legjislacionin në fuqi, në koordinim me institucionet qendrore, duke siguruar një bazë ligjore dhe teknike për realizimin e tij.

Rama ka theksuar se Gërmia ka potencial të madh për zhvillim dhe se rikthimi i ski-liftit do të sjellë një hapësirë të re për qytetarët, duke përfshirë brezat e rinj dhe duke ruajtur karakterin e zonës si hapësirë e gjelbër për kryeqytetin.