Fushë Kosova gati për të implementuar masa të efiçiencës së energjisë
Sot, Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, zhvilloi një takim në zyrat e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), ku u mirëprit nga Drejtoresha Menaxhuese, Njomza Hoxha.
Kryetari Prebreza, së bashku me Drejtoreshën e Zhvillimit Ekonomik dhe Tatimit në Pronë, Pranvera Mervoci, Drejtorin e Shërbimeve Publike, Izja Mejku, si dhe Këshilltaren, Vlora Tosuni, diskutuan për mundësitë konkrete që ofron FKEE për komunat, në kuadër të implementimit të masave të efiçiencës së energjisë dhe projekteve që pritet të nisin së shpejti.
Gjatë takimit, Kryetari Prebreza vlerësoi lart punën dhe angazhimin e deritanishëm të FKEE-së, duke theksuar ndikimin pozitiv që projektet e saj kanë pasur në shumë komuna. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e plotë të Komunës së Fushë Kosovës për të qenë pjesë e projekteve të ardhshme dhe për të thelluar bashkëpunimin në këtë fushë.
"Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të bashkëpunimit institucional dhe realizimit të projekteve që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët", njofton Komuna e Fushë Kosovës.