Patatet qëndrojnë për muaj të tërë pa u prishur nëse ruhen në një vend kyç

Patatet qëndrojnë për muaj të tërë pa u prishur nëse ruhen në një vend kyç

Jetë September 12, 2025 - 08:20

Tani që verës po i afrohet fundit, shumë njerëz fillojnë të ëndërrojnë për gatimet e tyre të preferuara si supat, gjellët apo tavat që ngrohin shpirtin gjatë ditëve të ftohta të dimrit.

Shumë prej këtyre recetave të dashura kanë si përbërës kryesor patatet, por ruajtja e tyre pa i lënë të mbijnë para kohe mund të jetë një sfidë nëse nuk i dini metodat e duhura.

Karen Lamar, eksperte e ruajtjes së ushqimeve nga Organic Cottonmart, tregon se një nga gabimet më të mëdha që bëjmë është vendosja e patateve në banak, pranë disa perimeve të tjera.

“Kur flasim për ruajtje afatgjatë, si patatet ashtu edhe qepët zgjasin më shumë se shumica e perimeve. Kështu që mund të mendohet, ‘pse të mos i ruajmë bashkë në të njëjtin vend?

Por kjo nuk është aspak ide e mirë, sepse qepët lëshojnë gaz etilen, i cili i bën patatet të mbijnë më shpejt”.

Si të mbani patatet të freskëta për më gjatë:

Shmangni vendosjen pranë qepëve, hudhrave dhe domateve, pasi këto perime lëshojnë sasi të mëdha të etilenit, një hormon natyral që ndihmon pjekjen e frutave dhe perimeve. Për pasojë, patatet fillojnë të mbijnë shumë më shpejt.

Këto perime gjithashtu përmbajnë shumë ujë, që do të thotë se çlirojnë lagështi – dhe kjo mund të çojë në prishjen ose mykjen e patateve.

Vendi më i mirë për ruajtjen e patateve:

Karen këshillon që patatet të mbahen sa më larg dritës së diellit. Sipas saj drita e bën pataten të ‘mendojë’ se ka ardhur koha të mbijë, duke e shtyrë të prodhojë klorofil, i cili i jep ngjyrën jeshile dhe e bën të hidhur në shije.

“Po ashtu, lagështia e lartë është armik i madh i ruajtjes afatgjate. Prandaj, zgjidhja më e mirë është një vend i thatë dhe i errët, si për shembull bodrumi, depo ushqimore, apo ndonjë cep të fshehtë të kuzhinës”.