Policia mobilizohet për gjetjen e Remzije Mustafës nga Prishtina, ende asnjë gjurmë

Policia mobilizohet për gjetjen e Remzije Mustafës nga Prishtina, ende asnjë gjurmë

Kronika nëntor 12, 2019 - 15:57
Detajet

Gruaja nga Prishtina, Remzije Mustafa, po vazhdon ende të jetë e zhdukur.

Për gjetjen e saj ka kërkuar ndihmë edhe Policia e Kosovës.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka thënë se ka ndërmarrë disa veprime për gjetjen e mundshme të Remzije Mustafës, mirëpo pa sukses.

Postimi i plotë:

Ju njoftojmë se më datë 07.11.2019, në polici është raportuar për një person të zhdukur.

Bëhet fjalë për personin, Remzije Mustafa, e lindur në vitin 1960, banuese në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ku edhe është parë për herë të fundit.

Që nga dita e raportimit deri më tani, njësitet policore te hetimeve, kërkimeve si dhe patrullat në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjarët, kanë ndërmarrë një varg veprimesh si :

o intervistime të personave që mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së personit,

o kontrollimi i hyrje- daljeve, në të gjitha pikat kufitare,

o kërkime në zona që personi kishte frekuentuar zakonisht (ambiente të mbyllura dhe të hapura),

o analizimi i video incizimeve të zonave të ndryshme,

o analizimi dhe hetimi i çdo lloj informacioni që lidhet me personin, etj.

Veprimet dhe kërkimet policore, janë duke vazhduar intenzivisht, mirëpo njëkohësisht kërkojmë nga të gjithë ata që mund të ndihmojnë në identifikimin e vendndodhjes së saj, të informojnë Policinë e Kosovës në linjën emergjente 192, apo në nr 080019999.