Sulmoi kryetarin e gjykatës, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit

Sulmoi kryetarin e gjykatës, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit

Kronika December 12, 2019 - 16:19
Detajet

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të enjten, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm ndaj personit zyrtar, Shukri Shyti.

Ai po dyshohet se pasditen e së martës e ka sulmuar fizikisht gjykatësin mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, Rifat Bllata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimin për caktimin e kësaj mase, e ka marrë gjykatësi i procedurës paraprake, Sabit Rama, pasi paraprakisht në seancën për caktimin e paraburgimit ka dëgjuar pretendimet Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, si dhe të mbrojtjes.

Prokurori Shpëtim Peci, ka deklaruar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Shyti ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar dhe atë në bazë të deklaratave të të dëmtuarit Bllata, nga raportet mjekësore ku konstatohen lëndime trupore.

Prokurori Peci, ka deklaruar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprimeve të tij, si dhe rreziku i ikjes, duke pasur parasysh se sipas tij, ai dyshohet se këtë vepër i pandehuri e ka kryer me motive të hakmarrjes.

Për këtë, prokurori ka kërkuar nga gjykata që të caktojë masën e paraburgimit si masë adekuate për sigurimin prezencës së të pandehurit.Në anën tjetër, mbrojtësi, i të pandehurit i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Rexhep Kaçaniku, ka deklaruar se i dyshuari është bukur në moshë dhe se sipas tij, masa e paraburgimit është e ashpër për të.

“Propozoj që të njëjtit t`i caktohet masa e arrestit shtëpiak, sepse edhe me të njëjtën i hiqet liria dhe nuk guxon të lëviz jashtë banese. Kjo masë sipas qëndrimit zyrtar të GjEDLNj është ekuivalente me masën e paraburgimit”, ka thënë Kaçaniku.

Ndërsa, i dyshuari Shyti, ka deklaruar se nuk e ka kryer veprën penale, me të cilën ngarkohet dhe se rasti sipas tij, ka ndodhur në vend publik, kurse siç tha ai, është sulmuar nga i dëmtuari.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të 11 dhjetorit 2019, i dyshuari Shukri Shyti, me 10 dhjetor 2019, në rrugën “Skënderbeu”, në Vushtrri, kishte sulmuar personin zyrtar, të dëmtuarin Rifat Bllata, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, në lidhje me detyrat e tij zyrtare.

Sipas kërkesës, i dëmtuari kishte nxjerr një urdhëresë në kuadër të detyrave zyrtare ndaj të pandehurit, me ç’rast ky i fundit i pakënaqur me ketë vendim, siç thuhet në kërkesën e prokurorisë, ditën kritike fillimisht e kishte goditur me shqelm në pjesën e gjurit në këmbën e djathtë, e më pastaj në zogun e këmbës së majtë, ndërsa me çadrën të cilën e mbante në duar e kishte goditur në ballë dhe hundë, si dhe me vezë në kokë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në regjionin e fytyrës dhe të këmbëve.

Me këtë, sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 4, lidhur paragrafin 1 të KPRK-së.