Flet mësuesi nga Vitia, që u gjobit me 200 euro për një pitalkë

Flet mësuesi nga Vitia, që u gjobit me 200 euro për një pitalkë

Kronika April 14, 2021 - 10:00

Një qytetar nga Vitia ishte dënuar pasi kishte dalë për të blerë pitalka për syfyr.

Valon Idrizi, me profesion mësues, ka folur në ATV në lidhje me rastin dhe për gjobën të cilën ai e ka marrë.

“Pas orës 1:00 kam dalë në qytet për të shkuar në furrë, por para se të mbërrij atje kam rastisur në një patrullim të policisë, u tregova që kam dalë për të blerë bukë. Pas blerjes së bukës mora edhe gjobën, e cila ishte rreth 200 euro, një kosto pak e lartë duke u bazuar me kushtet që i kemi ne në Kosovë. Nuk reagova për shkak se faji ishte imi, por mendova që kishte pasur mundësi për të bërë lëshime në këtë rast”, tha Idrizi.

Tutje, ai shtoi se gjobën nuk do ta paguajë, por do të vazhdojë me procedura përmes Gjykatës.

“50% të pagës që e marrim kushton ky dënim, mendoj që është një dënim i lartë. Unë e pranoj që është orë policore, por është nevojë elementare. Gjobën mendoj se nuk do ta paguaj, kam vendosur që kjo të vazhdojë me procedurë të Gjykatës. Përveç bukës, kam blerë edhe barna, kjo pasi që mendoj se gjithë këto janë të drejta elementare dhe sipas masave nga Qeveria kjo e drejtë më lejohet”, theksoi ndër të tjera Idrizi.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e datës 5 prill, ka marrë vendim për miratimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Në mesin e masave është vendosur edhe ora policore nga ora 22:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit. /Zëri