Policia jep detaje nga aksioni “Mbrojtja e Pyjeve 2021”

Policia jep detaje nga aksioni “Mbrojtja e Pyjeve 2021”

Kronika April 15, 2021 - 16:31

Policia e Kosovës ka dhënë detaje nga aksioni i sotëm i realizuar në Komunën e Ferizajt, ku u arrestuan 12 persona, nga të cilët 8 zyrtarë komunalë dhe 4 qytetarë.

Ata po dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje e Ryshfetit”, si dhe veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Njësia e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Rajonin e Ferizajt, thotë se Plani Operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2021” është realizuar pas hetimeve disamujore, ku janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante.

Në fazën e parë, sipas PK-së, urdhërkontrolli është realizuar në 8 lokacione të ndryshme, tek personat zyrtarë të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj.

“Mbi dyshimin e bazuar se të dyshuarit e përfshirë, kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar si teknikë të pylltarisë dhe roje pylli, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo tjetrin, kanë pranuar ryshfet në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga disa qytetarë të cilët janë dëmtues recidivistë të pyllit, e me këtë dyshohen se kanë kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Marrje e Ryshfetit’, si dhe veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, theksohet në njoftimin e Policisë, njofton Zeri.info.

Tutje theksohet se gjatë zbatimit të urdhërkontrollit, në lokacionet e të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë si armë gjuetie – 6 copë, armë zjarri (revole) – 2 copë, karikatorë të revoles – 6 copë, karikatorë të AK-47 – 2 copë, fishekë cal. 9mm – 20 copë, fishekë 7.65 – 30 copë, fishekë cal.12 mm – 4 copë, telefona mobilë – 13 copë; çekan për damkosje – 1 copë dhe materiale të tjera si: fletore xhepi, fletëparaqitje, bllok evidence, raporte, formularë etj.

PK-ja thotë se pas realizimit të intervistimeve me personat e dyshuar, në prezencë të avokateve mbrojtës, nga prokuroria kompetente, tetë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në afat prej 48 orësh për procedura të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore në funksion të parandalimit dhe luftimit të të gjitha llojeve të krimit dhe korrupsionit, përderisa veprime rigoroze ligjore do të ndërmerren ndaj të gjithë personave të përfshirë, pavarësisht rolit dhe funksionit që kryejnë./Zëri