Katër vjet burgim, 10 mijë euro gjobë dhe konfiskim i veturës ndaj të dyshuarit për shitblerje të heroinës
Foto ilustruese

Katër vjet burgim, 10 mijë euro gjobë dhe konfiskim i veturës ndaj të dyshuarit për shitblerje të heroinës

Kronika April 15, 2021 - 16:37

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit R.M.. shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj për shkak ë veprës penale të kryer në vazhdim “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Kryetarja e trupit gjykues e Departamentit për Krime të Rënda, Kadrije Goga-Lubishtani, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, të pandehurin R.M. për veprën penale si në aktakuzë e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër vjetësh dhe dënim me gjobë në shumë prej 10.000.00 euro.

“Përmes këtij aktgjykimi konfiskohet në mënyrë të përhershme automjeti Golf VII, i cili i dorëzohet Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar; konfiskohet në mënyrë të përhershme substanca narkotike e llojit heroine në sasi prej 71 gram dhe dy paketime me substance heroine me peshe 635.1 gram, një paketim e substancës narkotike e llojit heroine me peshe 314 gram si dhe konfiskohet shuma e të hollave prej dyqindenjëzetepesë euro e njëzetepesë cent (225.25), dy (2) telefona të markës iPhone 5X dhe iPhone 6, dy (2) telefona të thjeshtë Alcatel dhe një (1) peshore digjitale”, njofton Gjykata Themelore në Ferizaj.

Në bazë të aktakuzës, i pandehuri R.M. akuzohet se nga muaji janar 2020 deri më 9 tetor 2020, në territorin e komunës së Ferizajt dhe në fshatin Pozhoran - Komuna e Vitisë, në vazhdimësi pa autorizim ka shpërndarë, shitur dhe transportuar substancë apo preparate të cilat janë shpall me ligj si narkotikë.

“Gjatë zbatimit të masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, është konstatuar se i njëjti për një periudhë të gjatë kohore, ka furnizuar me substancë narkotike të llojit heroinë të pandehurit G.H; Xh.F dhe B.I., ndërsa më 09.10.2020 pas marrëveshjes paraprake përmes telefonit me të pandehurin B.R. lidhur me shitblerjen e substancës narkotike, i njëjti nga njësia e DHTN-së, kapet në flagrance në dalje të fshatit Pozhoran dhe gjatë kontrollit në veturën e tij në pjesën e sipërme të timonit është gjetur dhe sekuestruar një paketim me shirit ngjitës me ngjyrë të zezë e mbushur me substance narkotike të llojit heroinë në sasi prej 71 gram dhe një peshore digjitale”, thekson kjo Gjykatë.

Ndërsa me rastin e bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurit, Gjykata thotë se janë gjetur dhe sekuestruar dy paketime me substance narkotike të llojit heroinë me peshe 635.1 gram dhe një paketim me peshë 314.2 gram të cilat i njëjti i kishte poseduar me qëllim të shpërndarjes, shitjes, ose ofrimit për shitje.

“Pas ekzaminimit ka rezultuar se i njëjti ka poseduar në total 292.5 gram substancë narkotike të llojit heroinë, ndërsa pjesa tjetër prej 595.17 gram përmban acetum minofen dhe kafeinë”, potencohet në njoftimin e Gjykatës.

Kundër këtij aktgjykimi, Gjykata ka njoftuar se palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt./Zëri/