Ndalohet nga Policia mjeku llapjan që nuk u ofroi shërbime pacientëve

Ndalohet nga Policia mjeku llapjan që nuk u ofroi shërbime pacientëve

Kronika April 15, 2021 - 23:07

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se pas publikimit të pamjeve në media, lidhur me një rast i cili ka ndodhur sot, konkretisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, ku disa pacientë nuk marrin shërbime shëndetësore nga ky institucion, Prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, duke iniciuar rastin si “Mosdhënia e ndihmës mjekësore”, vepër kjo e paraparë nga neni 255 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lexo edhe: Suspendohet nga puna doktori llapjan që nuk e trajtoi të moshuarin pas orarit të punës

"Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar i dyshuari-mjeku me inicialet I.H., në drejtim të veprës penale të lartcekur dhe i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh", ka thënë PTH-ja e Prishtinës.

Në media u publikua një video ku shihen disa persona në QKMF-në e Podujevës duke kërkuar shërbim mjekësor nga doktori Ibrahim Hoti.

Por ai dëgjohet duke iu thënë atyre se e ka përfunduar orarin e punës dhe nuk mundet t'iu ofrojë shërbime. Gjithë këtë diskutim ai e bën me zë shumë të lartëz ndërsa në mesin e qytetarëve ishin dy të moshuar.

Edhe Këshilli Drejtues i QKMF-së njoftoi se e ka suspenduar përkohësisht doktorin. /Zëri/