Infektuar: 105864
Shëruar: 96322
Vdekur: 2195
I akuzuari në rastin “Syri i Popullit” i drejtohet Azem Vllasit me fjalët: “Të kam mbrojt edhe në kohë të shkaut, e po të vras këtu”

I akuzuari në rastin “Syri i Popullit” i drejtohet Azem Vllasit me fjalët: “Të kam mbrojt edhe në kohë të shkaut, e po të vras këtu”

Kronika April 19, 2021 - 21:03

“Unë po të betohem që kam dashtë me ndjek krimin, kemi me zbulu, kurrë në jetën time s’kam qenë kundër shqiptarëve. Të kam mbrojt edhe në kohë të shkaut, e po të vras këtu!”, ishin fjalët me të cilat Avni Llumnica iu drejtua Azem Vllasit, në gjykimin për rastin e njohur si “Syri i Popullit”.

Llumnica, i akuzuar për tentim vrasje të Azem Vllasit, ka deklaruar se rasti për të cilin akuzohet do të zbardhet në tërësi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Azem Vllasi, ky rast do të zbardhet prej A deri në Zh, të gjithë keni qenë fajtorë përveç Avni Llumnicës, ka me ardh ajo ditë shumë shpejt, e shohim a kam dashtë me zbulu krimin në Kosovë, a me ndjek krimin, kemi me zbulu. Unë po të betohem që kam dashtë me ndjek krimin, kemi me zbulu, kurrë në jetën time skam qenë kundër shqiptarëve. Të kam mbrojt edhe në kohë të shkaut, e po të vras këtu! Kemi me zbardh, kanë me hangër tjerët. Me pas dashtë me zbardh e kishit zbardh moti. E kam dhon jetën për shqiptarë, e me më shti mu në këto krime”, ishte një pjesë e deklarimit të bërë nga i akuzuari Llumnica, në drejtim të tani të dëmtuarit Azem Vllasi, gjatë seancës së mbajtur të hënën.

Deklarimi i të akuzuarit Llumnica erdhi pas kundërshtimit që i ka bërë i dëmtuari Azem Vllasi, kërkesës për zëvendësimin e masës së paraburgimit ndaj Llumnicës, e cila u parashtrua nga avokati i këtij të fundit, Naim Rudari.

“E përkrahi kundërshtimin e prokurorit dhe shtoj se propozimi i avokatit presupozon se kur të kryhet  gjykimi, Avni Llumnica do të lirohet dhe nuk do ta ketë problemin me leje qëndrimin. Kur ka pas kohë me i bo shoqni Murat Jasharit me ardh këtu me i bo ton këto telashe, e mos me mendu, po nejse”, ka thënë i dëmtuari Azem Vllasi.

Paraprakisht, në këtë seancë gjyqësore janë dëgjuar dy dëshmitarë, Hekuran Mavriqi dhe Berat Rustolli.

Dëshmitari Berat Rustolli deklaroi se ditën kritike të 13 marsit 2017 ishte takuar me të akuzuarin Avni Llumnica, mirëpo mohoi se kishte dijeni për ngjarjet që do të pasonin.

“Po jemi takuar disa herë gjatë muajit mars dhe po ashtu edhe atë ditë kur ka ndodh rasti jemi taku diku rreth orës 11 paradite. Me Avninë nuk kemi pas asniher biseda se çka do të ndodh atyre ditëve”, tha dëshmitari Rustolli.

Po ashtu, dëshmitari Berat Rustolli tha se mbetej pranë deklarimeve të bëra në gjykimin e kaluar.

I akuzuari Llumnica, i cili ishte daja i dëshmitarit Rustolli, para se të parashtronte pyetje, e ka paralajmëruar atë lidhur me përgjigjet e tij, me arsyetimin se po tentohej që t’i përçanin ata.

“Berat ti nuk ki përvojë me gjyqtarë edhe prokurorë, Këta po të bajnë pyetje gjoja se çka ke fol atëherë a ju qëndron. Unë jam i sigurt se ti s’ke pas çka me fol as te prokurori, as qitu. Çdo gjë që e ke fol atje e fol edhe këtu. Këta po dojnë me na përça neve, të paktën unë mendoj kështu. Dmth çka ke deklaru, këtu ke deklaru gjithherë, deklaro le ta shënojnë në procesverbal. Çka ke deklaru këtu, ke deklaru gjithherë, mos të krijohet hapësirë tek opinioni”, ka qenë deklarimi i bërë nga Llumnica në adresë të dëshmitarit Rustolli.

Dëshmitari Rustolli ka mohuar se e kishte njohur më parë të akuzuarin tjetër në këtë çështje penale, Sadri Ramabaja.

Më pas, rrjedha e këtij shqyrtimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Mavriqi, i cili u përgjigj se mbetej pranë deklarimeve të dhëna në gjykimin paraprak dhe në polici.

Dëshmitari Mavriqi ka rrëfyer se më 11 mars 2017, babai i tij kishte pranuar një telefonatë nga një numër i panjohur, i cili i kishte kërkuar numrin e tani të dëmtuarit Azem Vllasi.

“Kemi qenë në veturë bashkë me prindin, i ka pas dy telefona, një numër në emër timin, një në emër të vetin. Në numrin e dytë, të cilin e ka përdor veç për internet dhe thirrje familjare, e jo për thirrje, thërret një person i panjohur, i cili prezantohet si njëri nga Matiqani, i thotë po më duhet numri i Azem Vllasit, po më duhet për një tokë”, tha dëshmitari Mavriqi.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Llumnica, avokatit Naim Rudari, dëshmitari Mavriqi u përgjigj se nuk e njihte të akuzuarin Llumnica dhe se për të kishte dëgjuar përmes mediave.

Në fund të kësaj seance, i akuzuari Llumnica deklaroi se ishte i gatshëm të qëndronte edhe katër vite të tjera në burg, me kusht që të gjithë dëshmitarët e propozuar të dëgjoheshin.

“Jam i gatshëm me qëndru edhe 4 vite në burg, që dëshmitarët me qenë të gjithë këtu, përveç atij që ka ndërruar jetë. ngase ka shumë pasaktësi, do të vjen koha që do të zbulohet teatër dhe lojnat e tyre”, ka thënë i akuzuari Llumnica.

Në seancën e së hënës, gjykatësi i rastit Musa Konxheli mori vendim që të lëshohet urdhëresë për verifikim adrese ndaj dëshmitarëve të cilët deri në këtë fazë nuk kanë mundur të sigurohen, si Nuhi Zeka, Gzim Haliti, Nijazi Sinani dhe Faton Topalli.

“Trupi gjykues pas këshillimit merr vendim që lidhur me dëshmitarët të cilët deri në këtë fazë nuk kanë mund të sigurohen për të dëshmuar, e të cilët janë Nuhi Zeka, Gzim Haliti, Nijazi Sinani dhe Faton Topalli, të lëshohet urdhëresë për verifikim të vendbanimeve apo vendqëndrimeve të tyre dhe të njëjtit nëse hasen të sillen para gjykatës në seancën e radhës dhe se me atë urdhëresë do të obligohet Policia e Kosovës që në afat sa më të shkurtër kohor ta njoftojë gjykatën për vendqëndrimin apo vendbanimin e tyre”, ka thënë gjykatësi Musa Konxheli.

Ndërsa, sa i përket propozimit të bërë nga mbrojtësi i të akuzuarit Llumnica, avokati Rudari, për zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë për klientin e tij, gjykatësi Konxheli tha se do të vendoset jashtë seance.

Seanca e radhës do të mbahet më 24 maj nga ora 09:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë çështje penale, në cilësinë e të akuzuarit ka qenë edhe Bajrush Konjusha, mirëpo i njëjti, pas pranimit të fajit për armëmbajtje pa leje, është dënuar me 300 euro gjobë.

Ndryshe, rasti i njohur me emrin si “Syri i Popullit” kishte filluar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të 27 shkurtit 2018.

Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana akuzoheshin për vepra të ndryshme penale.

Sipas kësaj aktakuze, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që tani i ndjeri M. J. të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë J. në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë tani të ndjerin M. J., e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri, tani i ndjer M. J. kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, Llumnica akuzohej se kishte  kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.

Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z  duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

Llumnica akuzohej për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.

Të pandehurit M. J., Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, ishin pjesë e organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe  vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Ndërsa, i pandehuri, tani i ndjerë, M. J. thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.

Me këtë, ata akuzoheshin se kishin kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së.

I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohej edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.

Ndërsa, i ndjeri M. J. nga PSRK-ja, ngarkohej me veprat  penale “hakmarrja” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria e akuzonte J. që duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar  dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se J., fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.

Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën të ndjerit J. dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, J. kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës, por J. iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në motel “Fontana”, në Veternik.

Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te i ndjeri J ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje.

Sipas kësaj aktakuze Gjykata Themelore në Prishtinë, udhëhequr nga Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica dhe gjykatësit Vesel Ismajli dhe Valbona Musliu – Selimaj, kishin marrë aktgjykim me të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë.

Sadri Ramabaja, M. J., Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, në janar të vitit 2020 ishin shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale.

Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Atij do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMË”, me targa te huaja.

Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja ishte dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova ishte dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana ishte dënuar me 2 vjet.

Të ndjerit M. J. për shkak të gjendjes së tij, gjykata i kishte shqiptuar atij trajtim të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.

Behxhet Luzha për mos lajmërim të veprës penale ishte dënuar me 2 vjet burg.

Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha ishin dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha ishte refuzuar aktakuza, pasi që prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Por me konstatimet e Gjykatës Themelore nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila çështjen e kishte kthyer në rigjykim, madje kishte kërkuar që rasti të kthehet nga shqyrtimi fillestar për shkak të shkeljeve të paevitueshme.

Në aktvendimin e Apelit thuhet se “çështja penale kthehet në rivendosje për tu proceduar nga shqyrtimi fillestarë dhe pas rregullimit të aktit akuzues”.

Ky aktvendim kishte bërë që Prokuroria Speciale të paraqes pas disa muajve një aktakuzë të re dhe me shumë ndryshime.

Sipas aktakuzës së datës 27 tetor 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha janë të vetmit të akuzuar në këtë rast.

Kjo pasi që PSRK heqë dorë nga vepra penale kundër rendit kushtetues respektivisht nga dyshimi për ekzistimin e një grupi kriminal “Syri i Popullit”.

Me aktakuzën e re, Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me tani të ndjerin M. J. kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin.

Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe M.J të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes.

Lidhur me akuzën ndaj të ndjerit M. J., sipas  vendimit të Apelit, meqenëse i njëjti vuante nga sëmundje mendore, rasti i tij ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila ka ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.