Dhjetë muaj burg prizrenasit që keqpërdori detyrën si inspektor komunal i ndërtimit
Foto ilustruese

Dhjetë muaj burg prizrenasit që keqpërdori detyrën si inspektor komunal i ndërtimit

Kronika July 23, 2021 - 11:14

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 10 muaj burgim të dyshuarin N.M., pasi ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas Gjykatës, i dyshuari në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e inspektorit komunal të ndërtimit, në Prizren, ka lejuar ndërtimin shtesë pa leje të një kompleksi banesor.

“Në periudhën kohore prej vitit 2016-2017 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar – inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin, respektivisht investitorët ‘...........’, me pronar N.K. dhe investitorin ‘.......’, me pronar S.V., në atë mënyrë që nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të tetë (8) të kompleksit ndërtimor në lagjen ‘Jeta e Re’, i cili objekt ka pasur leje për ndërtimin P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje P+B+8, gjithashtu i akuzuari N.M. ka mundësuar që në objektin e banimit kolektiv në Prizren ndërtimin edhe të tre (3) kateve shtesë pa leje, ku leja e ndërtimit ka qenë B+P+2, ndërsa është ndërtuar B+P+5, me ç’rast investitorëve u mundësohet dobi një (1) kat në rastin I dhe tri (3) kate në etazhitet të objektit në rastin II”, thuhet në njoftim.

Sipas vendimit të Gjykatës, i dyshuari detyrohet edhe t’ia kompensojnë Komunës së Prizrenit dëmin e shkaktuar në vlerë mbi 21 mijë euro, si dhe i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratën publike në afat prej 2 vjetësh.

“Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin e gjykon: - Të akuzuarin N.M. me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) muajve. Obligohet i akuzuari N.M. që Komunës së Prizrenit të ia kompensojë dëmin e shkaktuar për dy objektet në shumën prej 21.551.85 eurove, të akuzuarit N.M. i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratën publike në afat prej dy (2) vjetësh”, thuhet në njoftim. /Zëri