“E kanë shti n’klasë edhe kanë tentu me dhunu”, rrëfimi i babait të 14-vjeçares që u sulmua seksualisht në Podujevë

“E kanë shti n’klasë edhe kanë tentu me dhunu”, rrëfimi i babait të 14-vjeçares që u sulmua seksualisht në Podujevë

Kronika November 27, 2021 - 12:41

Sot është raportuar për një rast të sulmit seksual që ka ndodhur në qytetin e Podujevës. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës një person është arrestuar.

Në lidhje me këtë rast, prindi i vajzës ka treguar për Sinjalin se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

Ai thotë se vajza e tij është 14-vjeçare, në klasën e 10-të dhe vijon mësimet në Shkollën e Mesme “Isa Boletini” në Podujevë.

Ai ka treguar se si ka ndodhur ngjarja. Babai thotë se kur vajza e tij ka dalë në korridor të shkollës, dy persona e kanë kapur dhe e kanë futur në klasë dhe kanë tentuar ta dhunojnë.

“Rasti ka ndodhur brenda objektit të shkollës. Masi ka dalë çika në korridor,  e kanë marrë e kanë shti në klasë edhe kanë tentu me dhunu. Njëri prej tyre është arrestu ndërsa tjetri jo. Jemi tu pritë vendimin me ditë se kush është i arrestuar, e kena lypë emrin po s’na kanë dhënë. Të dyshuarit janë të moshës madhore, nuk janë nxënës të shkollës, por huliganë që sillen kah shkolla”, ka thënë ai.

Prindi i viktimës thotë se nëse drejtësia nuk merr masa ndaj të dyshuarve, dikush duhet të marrë, pasi sipas tij, fëmijët nuk janë për t’u gjuajtur në bërllog.

“Na ia kemi lanë drejtësisë këtë, mirëpo nëse ajo nuk vendos, dikush duhet të marrë masa, se fëmijët nuk janë mu gju n’bërllog. Por besojmë që drejtësia po merr masa sipas informatave që kemi deri tani, mirëpo presim të marrë edhe masa tjera. Për këtë rast ka dëshmitarë dhe pamje të kamerave, të cilat i kanë marrë policia”, ka thënë për Sinjalin, prindi i viktimës.

Sipas babait, gjendja shëndetësore e viktimës është e mirë, ndonëse mbrëmë nuk ka fjetur.

“Çika është mirë, e kemi pasë të mjeku. Mbramë s’ka flejt, por është qetësu tash”, ka thënë ai.