Konfiskohen 16 kg drogë dhe pajisje të kriptovalutave, arrestohen disa persona

Konfiskohen 16 kg drogë dhe pajisje të kriptovalutave, arrestohen disa persona

Kronika December 02, 2021 - 09:50

Prishtinë - Njësitë e antidrogës të Policisë së Kosovës në rajone të ndryshme të vendit gjatë operacioneve policore kanë konfiskuar rreth 16 kilogramë drogë dhe po ashtu kanë arrestuar disa persona të dyshuar.

Policia e Kosovës njofton se Njësia Rajonale e Antidrogës në Prishtinë, në vazhdën e hetimit të rastit të koduar me emrin “Bardhoshi”, më 01.12.2021, në koordinim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda - Prishtinë kanë realizuar një operacion policor, ku fillimisht rreth orës 14:50 në magjistralen Prishtinë - Gjilan, saktësisht në fshatin Bresalc, pas kërkesës së Njësisë së Antidrogës, një njësi e trafikut regjional të Gjilanit e ka ndaluar veturën e tipit “Audi A6”, me targa vendore, të cilën ishte duke e drejtuar personi i dyshuar me iniciale A. K., mirëpo pasi zyrtarët policorë i kanë kërkuar që ta hapte bagazhin e veturës, i njëjti me shpejtësi është nisur nga vendi i ndaljes që t’i shmanget arrestimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas punëve hetimore dhe operative të zyrtarëve të antidrogës, personi i njëjtë është arritur të arrestohet në komunën e Graçanicës, pasi i njëjti ishte i implikuar në veprën penale të sanksionuar nga Neni 267 i Kodit Penal të RKS-së, së bashku me të dyshuarin e dytë, me iniciale F.M., tanimë i arrestuar në vendin e ngjarjes në fshatin Bresalc, komuna e Gjilanit.

Sipas Policisë, dy personat e lartcekur dyshohen se kanë bërë transportimin e substancës narkotike, e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë.

Pas matjeve, substanca narkotike rezulton të jetë me masë 15324.4 gramë (pesëmbëdhjetë mijë e treqind e njëzet e katër, katër gramë), ose 15.324.4 kg.

Me urdhër të autoritetit kompetent është kryer bastisje në banesën e njërit nga të dyshuarit.

Dëshmitë/provat relevante si në vijim janë konfiskuar gjatë operacionit policor nga Njësia e Krim-teknikës Rajonale e Gjilanit.

D#1. 15324.4 gramë ( 15 kg e 324.4 gr.) lëndë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë.

D#2. Vetura Audi A6, me targa vendore

D#3. Vetura VW-Jetta, me targa vendore

D#4. 1 Telefon celular

D#6. 170 euro

Të dyshuarit pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe rasti vazhdon të hetohet edhe më tej.

“Operacione policore të antidrogës janë zhvilluar edhe në Prizren, Pejë, përderisa në Gjilan pas hetimeve disa ditore në koordinim me organet e drejtësisë gjatë realizimit të një bastisjeje dhe kontrollit të një shtëpie janë gjetur tridhjetë e tri (33) aparate për prodhimin e kriptovalutave (pajisje elektronike) dhe me rastin është marrë Dogana e Kosovës”, thuhet në njoftim të Policisë së Kosovës.