Policia: Edhe për kundër sfidave, situata në veri po menaxhohet me sukses

Policia: Edhe për kundër sfidave, situata në veri po menaxhohet me sukses

Kronika March 24, 2023 - 16:15

Policia e Kosovës bazuar në vizionin dhe misionin e sajë, po vazhdon angazhimin e plotë, në përmbushjen dhe realizimin e objektivave strategjike të parapara sipas Planit Zhvillimor Strategjik në nivel vendi, angazhim ky i cili po realizohet edhe në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë Veri.

Implementimi i Planit Zhvillimor Strategjik, përveç tjerash parasheh ngritjen e efikasitetit në ruajtjen e sigurisë publike, parandalimin, hetimin dhe zbulimin e krimit si dhe kontrollin kufitar, e që ndikon direkt edhe në sigurinë e qytetarëve pa dallim si dhe në sigurinë e përgjithshme në vend.

Sipas Policisë, drejtoria Rajonale Mitrovicë Veri edhe përkundër sfidave dhe vështirësive që ka pasur, ka arritur rezultate pozitive në menaxhimin e situatës së sigurisë si dhe në menaxhimin e (109) rasteve të raportuara për periudhën kohore (1 janar 2023 deri me 15 mars 2023), ku prej tyre kanë qenë (91) vepra penale, ndërsa (18) kanë qenë incidente të natyrave të ndryshme.

“Vlen të potencohet se edhe gjatë kësaj jave në stacionet policore të Mitrovicës Veri, janë realizuar detyra dhe aktivitete të ndryshme policore, përfshirë implementimin e planeve konkrete në fushën e trafikut, realizimin e urdhëresave, shtimin e prezencës policore në komunitet si dhe shtimin patrullimeve policore, të cilat kanë rezultuar në mënyrë pozitive në sigurinë e përgjithshme dhe në parandalim të krimit”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Mitrovicë Veri falënderon dhe njëherë vazhdon t’i inkurajon qytetarët e të gjitha komuniteteve pa dallim, për rritje të mëtejme të bashkëpunimit dhe raportimit të rasteve, për një ambient edhe më të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët. /Zëri