Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e 200 mijë eurove në Teqenë e Madhe të Gjakovës

Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e 200 mijë eurove në Teqenë e Madhe të Gjakovës

Kronika June 09, 2023 - 14:27

Më 22.05.2023 ankuesi ka raportuar se persona të panjohur kishin depërtuar brenda në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur në dy kasaforta para të gatshme në vlerë të konsiderueshme, disa çelësa personalë dhe disa stoli të arit.

Policia ka njoftuar se pas një hetimi të gjerë dhe intensiv, ku janë shikuar qindra orë videoincizime nga lokacione të ndryshme dhe janë analizuar shumë prova, është arritur të identifikohet dhe arrestohet i dyshuari.

Ky dyshohet të jetë rasti i vjedhjes së 200 mijë eurove në Teqenë e Madhe të Gjakovës, ku për këtë rast është arrestuar një 48-vjeçar, transmeton Zeri.info.

“U arrestua Xh. Th., i lindur në vitin 1975, shtetas i Republikës së Kosovës, mbi dyshimin e arsyeshëm se i njëjti më datën 22.05.2023 kishte kryer veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’. Me vendim të gjykatës është kryer kontroll në objektet e banimit të të dyshuarit, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë me një karikator, gjashtë copë fishekë, disa stoli ari, rrobe, telefona dhe disa gjëra të tjera, të cilat dyshohet se janë përdorur me rastin e kryerjes së vjedhjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje, thuhet se të gjitha veprimet hetimore të ndërmarra janë kryer në koordinim me prokurorin e Shtetit, me vendimin e të cilit i dyshuari është ndalur në mbajtje. Ndaj tij është iniciuar rast penal për hetim për “Vjedhje të rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve”. /Zëri

Image