Tre vjet burg shoferit që goditi këmbësorin me veturë në rrugën Shtime - Ferizaj dhe s’u ndal për t’i dhënë ndihmë

Tre vjet burg shoferit që goditi këmbësorin me veturë në rrugën Shtime - Ferizaj dhe s’u ndal për t’i dhënë ndihmë

Kronika September 28, 2023 - 14:42

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit I.J., i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj për shkak të veprave penale “Rrezikim i trafikut publik, mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.

Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, të pandehurin e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej tre vjetësh.

Sipas gjykatës, i pandehuri akuzohet se, më 31 tetor 2021, rreth orës 21:54 në rrugën magjistrale Shtime – Ferizaj, duke drejtuar automjetin e tipit BMW, në të cilën kanë qenë edhe pasagjerët Sh.J., R.V. dhe D.A., me të arritur në fshatin Ll., nga pakujdesia shkel Ligjin për trafikun publik, duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve dhe rrethanave në rrugë në vendbanim në mënyrë që të ndalet me kohë para çdo pengese që mund të paraqitet, për pasojë derisa i ndjeri N.M. ka qenë duke lëvizur – trupuar rrugën nga ana e majtë dhe me të arritur në skaj të rrugës në anën e djathtë, e godet me pjesën e parë të anës së djathtë duke e rrëzuar në tokë, si rezultat i së cilës fillimisht i ndjeri dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj, pastaj dërgohet në QKUK në Prishtinë, ndërsa më 7 nëntor 2021 ka ndërruar jetë.

“Gjithashtu, me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në pikën e I, si ngasës i automjetit, nuk ofron ndihmë personit të lënduar – tani të ndjerit N.M., duke ikur nga vendi i ngjarjes, duke e lëndë të ndjerin pa i ofruar ndihmë, si dhe nuk ka njoftuar emergjencën – ndihma e parë dhe policinë dhe për pasojë personi i lënduar pas disa ditëve ka ndërruar jetë, me të cilën ka kryer veprën penale ‘Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’, nga Neni 374, paragrafi 3 i KPRK-së.

Të pandehurit I.J., me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar sipas këtij aktgjykimi.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. /Zëri