U arrestua në Shqipëri, Policia e Kosovës bastis dy objekte banimi të dyshuarit në Pejë
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me shtetin e Gjermanisë dhe atë të Shqipërisë, kanë realizuar një operacion policor në rajonin e Pejës.
Në këtë operacion I cili u zhvillua ditën e sotme policia ka kryer kontrollë në dy lokacione banimi të personit të dyshuar i cili ditë më parë ishte arrestuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë si i dyshuar për vepra penale të trafikimit me narkotikë në nivel ndërkombëtar.
Policia ka njoftuar se gjatë këtij operacioni janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprën penale të potencuar, ku të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, transmeton Zëri.info.
“Në këtë operacion policor kanë qenë të angazhuara njësite të ndryshme policore, të cilat kanë kryer kontrolle në dy lokacione, banesë dhe shtëpi banimi të personit të dyshuar (P. D.), i cili me datën 22/11/2023 ishte arrestuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë si i dyshuar për vepra penale të trafikimit me narkotikë në nivel ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri