Publikoi video duke shtënë me armë, policia i shkon në shtëpi 22-vjeçarit në Suharekë dhe ia sekuestron dy armë

Publikoi video duke shtënë me armë, policia i shkon në shtëpi 22-vjeçarit në Suharekë dhe ia sekuestron dy armë

Kronika December 08, 2023 - 12:54

Një 22-vjeçar të enjten është arrestuar nga policia në Suharekë pasi kishte publikuar video duke shtënë me armë zjarri.

Policia ka njoftuar se pas pranimit të informatës Sektori i Hetimeve të stacionit policor në Suharekë, menjëherë ka filluar hetimet ku është identifikuar i dyshuari me inicialet F.B., i cili është shoqëruar në stacionin policor ne Suharekë, është intervistuar ku i njëjti ka pranuar se posedon dy armë: “një pushkë gjysmautomatike e llojit ‘Rifle’, model VSKA, prodhim ‘Centry Arms’ me numër serik SV7111380, kal. 7.62 X39, e cila sipas rregullave është armë sportive që përdoret vetëm në poligone të gjuajtjes.

Një pistoletë model AREX ALPHA me numër serik A26010, për të cilat ka pëlqimin sipas ligjeve në fuqi, por ende është në proces të pajisjes për leje. Po ashtu janë sekuestruar njëqind e tetëmbëdhjetë (118) copë fishekë kal. 7.62x39 mm dhe njëzet e pesë (25) copë fishekë të kal. 9x19 mm për hetime te mëtejme”, ka njoftuar Policia.

Po ashtu i dyshuari në deklaratën e tij ka pranuar se më datë 27.11.2023, rreth orës 13:30, kishte shtënë me armën gjysmautomatike në bjeshkët e fshatit Dellocë të Suharekës.

“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori kujdestar për krime të rënda dhe me urdhër të tij është iniciuar rast ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim i pa autorizuar i armës, ‘Përdorim i armës’, rasti në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri