Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë, njëri nga QKUK-ja dërgohet në mbajtje

Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë, njëri nga QKUK-ja dërgohet në mbajtje

Kronika March 28, 2024 - 10:38

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e së martës në Prishtinë, ku nga përleshja me armë në mes dy grupeve kriminale mbetën të vdekur dy persona, në mesin e tyre edhe një kalimtare rasti.

Në raportin 24-orësh, Policia ka njoftuar se gruaja që ishte plagosur, e cila ishte kalimtare rasti, ka vdekur dje në QKUK.

Tutje Policia bën të ditur se i dyshuari mashkull, që ishte duke u trajtuar gjithashtu në QKUK, është intervistuar dhe dërguar në mbajtje.

“Lidhur me rastin është raportuar se viktima femër kosovare, e cila ka qenë duke trajtuar në QKUK lidhur me një rast të mëhershëm, më 27.03.2024 ka vdekur. Lidhur me rastin i dyshuari mashkull kosovar, i cili po ashtu ishte duke u trajtuar në QKUK, është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar ne mbajtje”, ka njoftuar Policia.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim dy persona të dyshuar.

Policia ka njoftuar se personat e dyshuar, Fitim (Skender) Doda dhe Arijan (Arif) Sijarina, kërkohen për veprën “Vrasje në tentativë”, që ka ndodhur më 26.03.2024, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.

Të dy këta lidhen me rastin tragjik të ditës së martë, ku dy persona humbën jetën.

Në vendngjarje i vdekur mbeti Egzon Haziri, derisa plumbat jetën ia morën edhe 48-vjeçares, Zejnije Gashi.