Nëna e ukrainases 23-vjeçare akuzon Prokurorinë e Ferizajt për mospunë

Nëna e ukrainases 23-vjeçare akuzon Prokurorinë e Ferizajt për mospunë

Kronika April 03, 2024 - 21:51

Misterioze mbeten rrethanat e vdekjes së një 23-vjeçare që u gjet në shkurt të këtij viti në autostradën “Arbën Xhaferi”. Po përderisa nëna e saj ka kritika për mos angazhim nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, kjo e fundit arsyetohet se është ende në pritje të raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Janë bërë 1 muaj e gjysmë nga dita kur u gjet trupi i pajetë i ukrainases Olena Kozij, në autostradën “Arbën Xhafer”.

Por përtej identifikimit të 23-vjeçares, rrethanat se si ka përfunduar aty, ende mbeten të paqarta.

Nëna e saj, Natasha Kozij në përgjigje përmes e-mailit ka treguar se ka kontaktuar me institucionet relevante të drejtësisë në Kosovë, për të zbardhur të vërtetën për vajzën e saj por përgjigje konkrete nuk ka gjetur.

“Në dritën e rrethanave të vdekjes së parakohshme të vajzës sime, iu kam drejtuar prokurorisë dhe kam kërkuar me ngulm verifikimin dhe shqyrtimin e pamjeve të vëzhgimit si nga rezidenca e Olenës, ashtu edhe nga pika e karburantit që ajo vizitoi më 21 shkurt 2024, në orën 18:15, jam përballur me shpërfillje,” Natasha Kozij, nëna e Olena Kozij.

Kozij tregon që edhe pse ishte kontaktuar nga prokurori i rastit, nuk kishin arritur që të kuptoheshin.

“Unë fola me prokurorin që trajtonte këtë çështje përmes një përkthyesi. Por ai përgjigjet se nuk më kupton. Ose nuk dëshiron të kuptojë. Policia nuk më kontaktoi fare. Me gjithë apelimet e mia të vazhdueshme, prokuroria ka dështuar të marrë masa vendimtare. Unë dua që të gjendet autori dhe të sillet para drejtësisë,” shtoi Kozij.

Natasha pretendon se bija e saj Olena ishte në shoqërinë e një personi, identiteti i të cilit thotë se mbetet i panjohur për të.

Ndërkohë, Prokuroria Themelorë në Ferizaj, në një përgjigje për televizionin kanë thënë se janë në pritje të raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, dhe nuk kanë komentuar deklaratat e nënës së viktimës.

23-vjeçarja, u gjet e vdekur më 21 shkurt të këtij viti, dhe deri tani nuk ka pasur të dyshuar lidhur me vdekjen e saj. /Dukagjini