Kreu vrasje me 28 plumba për gjakmarrje, ngritet aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë
Foto: Laura Hasani

Kreu vrasje me 28 plumba për gjakmarrje, ngritet aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë

Kronika April 19, 2024 - 16:05

I pandehuri D.LL nga Gjakova është ekstraduar nga SHBA dhe është ngritur aktakuzë ndaj tij për veprën penale “vrasje”.

Sipas komunikatës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i pandehuri D.LL akuzohet se më 12 korrik të vitit 2003, për shkak të gjakmarrjes për vrasjen e babait të tij, e ka vrarë viktimën N.N. duke e gjuajtur me armë zjarri 28 herë.

“Sipas aktakuzës ndër tjera cekët se i pandehuri D.LL., me dt.12.07.2003, rreth orës 09:00, në fshatin Raçë, Komuna Gjakovë, në afërsi të dyqanit “V…”, me dashje e nga gjakmarrja ka privuar nga jeta N.N., i moshës 47 vjeçare, nga fshati Raçë, Komuna Gjakovë, në atë mënyrë që për shkak të vrasjes së babait të tij, të cilin para 12 vitesh e kishte privuar nga jeta i ndjeri N.N., ditën kritike i pandehuri, shkon në vendin e lartcekur me veturën e tij Golf 3, ngjyrë e kuqe, duke i përcjellë lëvizjet e tani të ndjerit dhe kur i njëjti ka hyrë në dyqan “V…”, për të blerë ca gjëra ushqimore, i pandehuri D.LL., e pret e me të vërejtur se del nga dyqani prej një afërsie shtënë në drejtim të tij 28 herë në pjesë të ndryshme të trupit, dhe kur viktima bie përtokë, i pandehuri përsëri shtënë në drejtim të kokës së viktimës, duke i shkaktuar plagë të shumta me armë në kokë, gjoks dhe gjymtyrë, nga plagët e marra viktima ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatë.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri nga koha e kryerjes së kësaj vepre penale ka qenë në arrati.

“I njëjti është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe është ekstraduar nga SHBA në Kosovë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në komunikatë.