Gjetja e nënës me tre fëmijë në ujërat e Bunës, Peleshi jep detaje nga operacioni
Foto: Facebook

Gjetja e nënës me tre fëmijë në ujërat e Bunës, Peleshi jep detaje nga operacioni

Kronika May 07, 2024 - 15:24

Ka përfunduar operacioni i kërkimit për 39-vjeçaren Alma Arrazi dhe tre fëmijët e saj, që u mbytën në ujërat e lumit Buna.

Përmes një postimi në rrjete sociale, ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi, ka dhënë detaje nga operacioni, ku tha se gjatë tri ditëve të kërkimit janë angazhuar 96 forca operacionale dhe 13 mjete ujore, shtuar dhe këtu ndihmën e dhënë nga banorët e zonës.

Peleshi shpreh ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e viktimave për këtë ngjarje tragjike që ka prekur mbarë opinionin publik.

“Pas përpjekjeve të pandërprera triditore është bërë e mundur gjetja e të katër trupave, të mbytur në lumin Buna, nënës dhe tre fëmijëve.

Nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, u angazhuan 96 forca operacionale dhe 13 mjete nga strukturat vendore dhe qendrore, përfshirë Forcat e Armatosura, Forcat Renea, Njësinë e Sigurisë Publike, DVP Shkodër, dhe DRKM, si dhe banorë të njësisë administrative Dajç.

Një ngjarje tragjike, që tronditi gjithë shoqërinë. Ngushëllimet më të ndjera familjarëve në këtë moment të dhimbshëm!”, shkroi Peleshi.

Kujtojmë gjithashtu se po këtë të martë, Gjykata e Shkodrës vlerësoi të ligjshëm arrestimin e babait, Erdgys Arrazi, si i dyshuar se është bërë shtysë për aktin e vetëflijimit të bashkëshortes bashkë me fëmijët. Problemet në çift dyshohet se lindën si pasojë e një lidhjeje jashtëmartosore të 31-vjeçarit.