
Arrestohet Agron Gashi, i dyshuari kryesor për plagosjen në Pejë
Agron Gashi, i dyshuar për tentim vrasjen e tre personave mbrëmë në Pejë, është e arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.
Lajmin e ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
“Personi i dyshuar për ‘Vrasje të rëndë në tentativë’, për plagosjen e tre personave, para pak momentesh është arrestuar dhe me vendim të prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë”, tha Nikçi për “Betimi për Drejtësi”.
Mëngjesin e së enjtes Policia e Kosovës (PK), përmes publikimit të fotografisë, ka kërkuar nga qytetarët ndihmë për arrestimin e Gashit.
Sipas Policisë, i dyshuari është recidivist i veprave penale.
Ai dyshohet për “Vrasje të rëndë në tentativë”.
Ndryshe, prokurori që po e trajton këtë rast, Ersan Qavolli, ka konfirmuar se lidhur me rastin e mbrëmshëm, pas mesnatës, është arrestuar një i dyshuar për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.
Policia mbrëmë konfirmoi se tre persona janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Pejë, në rrugën “Bekim Berisha - Abeja”.