Tentoi t’i japë ryshfet policit, gjakovarit i sekuestrohen paratë dhe përfundon në stacion policor
Foto: Zëri / Ilustrim

Tentoi t’i japë ryshfet policit, gjakovarit i sekuestrohen paratë dhe përfundon në stacion policor

Kronika June 24, 2024 - 14:29

Një person është arrestuar gjatë ditës së sotme në Gjakovë, pasi kishte tentuar ta korruptojë policin.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Policisë, i njëjti gjatë procesit të lëshimit të një gjobe për një kundërvajtje, në përpjekje të ndërhyjë në detyrat ligjore të zyrtarëve policorë, që të mos i shqiptonin gjobën, kishte hedhur një kartëmonedhë prej 20 eurosh në makinën e patrullës.

“I dyshuari u shoqërua menjëherë në stacionin policor, si dhe kartëmonedha prej 20 eurosh është sekuestruar si provë”, thuhet në njoftimin e Policisë, raporton Zeri.info.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Arrestohet një i dyshuar për “Dhënie ryshfeti”

Gjakovë, 24 qershor 2024

Më datën 24 qershor 2024, zyrtarët policorë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë kanë ndalur një automjet, në një pikë kontrolli rutinë, në fshatin Rakovinë - Gjakovë. Gjatë procesit të lëshimit të një gjobe për një kundërvajtje, i dyshuari A.G., (shoferi i automjetit) në përpjekje të ndërhyjë në detyrat ligjore të zyrtarëve policorë, që të mos i shqiptonin gjobën, kishte hedhur një kartëmonedhë prej 20 eurosh në makinën e patrullës. I dyshuari u shoqërua menjëherë në stacionin policor, si dhe kartëmonedha prej 20 eurosh është sekuestruar si provë.

Në konsultim me prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast “Dhënia e ryshfetit”, ndërsa i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar në ruajtjen e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës. Ne vlerësojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin e publikut, përderisa vazhdojmë të angazhohemi në drejtim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike. /Zëri