
IPK rekomandon suspendimin e pesë zyrtarëve policorë pas incidentit me fatalitet në Lipjan
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të pesë zyrtarëve policorë, pas një incidenti që ndodhi sot pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, ku një qytetar humbi jetën.
Hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë nisur veprimet hetimore lidhur me vdekjen e qytetarit dhe reagimin e zyrtarëve policorë në vendngjarje. Si pjesë e hetimit janë përfshirë intervistimet e dëshmitarëve okularë dhe mbledhja e provave materiale, përfshirë incizimet nga kamerat e sigurisë dhe nga telefonat mobil.
Sipas IPK-së, të gjitha pamjet video do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të detajuara për të ndriçuar rrethanat e incidentit dhe për të vlerësuar nëse reagimi policor ka qenë në përputhje me procedurat dhe standardet profesionale.
Zyrtarët për të cilët është rekomanduar masa e suspendimit përfshijnë një rreshter dhe katër policë patrullues. IPK sqaron se kjo masë është administrative dhe e përkohshme, dhe nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale.
Hetimi po zhvillohet në mënyrë të pavarur, objektive dhe të gjithanshme, me synimin për të zbuluar çdo shkelje eventuale ligjore apo institucionale.
IPK ka garantuar opinionin publik se rasti po trajtohet me prioritet të lartë, dhe se çdo përgjegjësi eventuale do të adresohet bazuar në gjetjet e hetimit dhe në përputhje me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.