Çka e pyeti Naim Murseli vëllain e Liridona Ademajt e ç’përgjigje mori? [video]
Foto: Laura Hasani

Çka e pyeti Naim Murseli vëllain e Liridona Ademajt e ç’përgjigje mori? [video]

Kronika July 14, 2025 - 11:15

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të hënën ndaj Naim Murselit, i akuzuar për organizimin e vrasjes së gruas së tij Liridona Ademajt, ai vetë mori fjalën për të drejtuar pyetje ndaj dëshmitarit Leonard Ademaj, vëllait të viktimës.

Murseli pyeti nëse motra e tij ndonjëherë ishte ankuar për raportin mes tyre.

“E kam një pyetje: për 12 vjet martesë, a ju është ankuar ndonjëherë motra për mua apo për raportin tonë?”, pyeti Murseli. Leonard Ademaj u përgjigj: “Jo, nuk është ankuar, përveçqë para disa muajsh para se të ndodhte ngjarja. E kishte prekur shumë një aferë e Naimit me një të afërm të vet, por që ajo vetë e kishte zgjidhur këtë punë me të dhe ne nuk i kemi kundërshtuar veprimet e saj”.

Murseli e vazhdoi me pyetje lidhur me qëndrimin në morg ditën pas vrasjes: “Ju thatë më herët se unë paskam qenë në morg me Kushtrimin. Në sa ora ka qenë kjo vizitë, që për mua është e panjohur?”.

Ademaj u përgjigj: “Orën nuk e di, veçse këtë e thotë edhe punonjësi aty që në mëngjes kanë ardhur Kushtrimi dhe Naimi”.

Në vijim, Murseli pyeti për një udhëtim të përbashkët në Budva: “Dy javë para ngjarjes, a kemi shkuar së bashku për në Budva për të festuar ditëlindjen dhe a vërejtët diçka ndryshe gjatë atij udhëtimi”.

Leonard Ademaj tha shkurt: “Po, me ftesën e Liridonës”.

Image

 

Në fund të pyetjeve, Naim Murseli iu referua dy motiveve të përmendura në aktakuzë dhe e pyeti Ademajn se cilin e beson si më të mundshëm.

“Në aktakuzë prokurorja përmend dy motive: njëra që ka të bëjë me financa dhe kinse me sigurim jetësor – që nuk dihet asgjë për atë sigurim jetësor se si janë kushtet. Motivi tjetër që thuhet është kinse Liridona më ka tradhtuar. Cilin motiv e beson Leonard Ademaj?”, pyeti Murseli.

Ademaj u përgjigj: “Motivin kinse Liridona të ka tradhtuar e ke thënë ti vetë, nuk e ka thënë ajo. Për sigurimin, ti e di më mirë, se ia ke bërë asaj, jo vetes. Po ashtu e di mirë kur i ke thënë babit në shtëpi që ‘ja kam bë një sigurim Liridonës se nëse e gjen diçka, përfitojmë shumë dhe fëmijët sigurohen’. Përveç versionit të tradhtisë, të dy versioneve të tjera u besoj plotësisht”.