Aktakuzë ndaj gjinekologut të Prizrenit, detyroi pacienten të lindte në klinikë private

Aktakuzë ndaj gjinekologut të Prizrenit, detyroi pacienten të lindte në klinikë private

Kronika July 15, 2025 - 12:54

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.Gj., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, nga Neni 414, par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, bëhet e ditur se më datën 31.01.2022 në Prizren, në kohë të pavërtetuar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar - në cilësinë e mjekut pranë repartit të Gjinekologjisë - Obstetrike të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, nuk i përmbushi detyrat zyrtare, raporton Zeri.info.

“ I njëjti, me qëllim që t’i mundësojë dobi pasurore vetes dhe personit tjetër dhe që t’i shkaktojë dëm pasuror personit tjetër, vepron në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që refuzon ta pranojë kërkesën e pacientes G.B., ta kryejë lindjen me operim pranë Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, me arsyetimin se pranë Repartit të Gjinekologjisë Obstetrike kishte pasur pacientë të infektuar me COVID-19 dhe i rekomandon të njëjtës dhe bashkëshortit të saj, J.B., që lindjen me operim ta kryejnë në njërën prej klinikave private me seli në Prishtinë, në të cilën klinikë i pandehuri edhe është i angazhuar si mjek, pavarësisht se të gjitha kontrollet paraprake mjekësore pacientja në fjalë në vazhdimësi i ka kryer në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, nën kujdesin e të pandehurit si dhe në klinikën private të tij në Prizren, me ç’rast e njëjta detyrohet që lindjen ta kryejë pranë klinikës private në Prishtinë, të cilin operim e kryen vetë i pandehuri, duke i shkaktuar kështu dëm material të dëmtuarve G.B. dhe J.B., në shumën prej 1.500.00 € (njëmijë e pesëqind euro)”, thuhet në aktakuzë.

Po ashtu, sipas aktakuzës, bëhet e ditur se me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, sipas KPRK-së.

“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në aktakuzë. /Zëri