
Vdes ish-kryetari i Deçanit, Ismajl Berisha
Është ndarë nga jeta Ismajl Berisha, ish-kryetar i Komunës së Deçanit dhe një prej figurave të njohura të jetës kulturore dhe institucionale në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari aktual i komunës, Bashkim Ramosaj, përmes një reagimi publik.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të z. Ismajl (Tahir) Berisha, ish-kryetar i Komunës së Deçanit dhe një figurë e shquar e jetës kulturore dhe institucionale të vendit tonë”, ka shkruar Ramosaj.
Ismajl Berisha kishte udhëhequr Komunën e Deçanit në vitet 1981-1983. Përveç angazhimit institucional, ai njihej edhe për kontributin e madh në fushën e kulturës. Gjatë karrierës së tij, ai ishte drejtor i shtëpisë botuese “Rilindja”, ku luajti rol të rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar.
“Ai la gjurmë të thella edhe në historinë kulturore të Kosovës si drejtor i shtëpisë botuese ‘Rilindja’, duke u bërë zë i rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar shqiptar”, ka shtuar Ramosaj.
Largimi nga jeta i Ismajl Berishës lë një boshllëk të madh në radhët e atyre që dhanë kontribut të çmuar për komunën e Deçanit dhe për kulturën shqiptare.