
IPK-ja deklarohet për rastin në Ferizaj, rekomandon suspendimin e policit të përfshirë
Inspektorati Policor ka njoftuar se për rastin në Doganaj të Ferizajt janë arrestuar një zyrtar policor dhe tre qytetarë.
Sipas njoftimit, polici ishte jashtë detyrës zyrtare në momentin e incidentit.
IPK-ja ka thënë se përleshja ka filluar pas një mosmarrëveshjeje në trafik.
“Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku edhe me njësitet e tjera relevante policore. Bazuar në veprimet fillestare hetimore, dyshohet se incidenti ka ndodhur fillimisht si pasojë e një mosmarrëveshjeje në trafik duke përfunduar fatkeqësisht në një incident të gjuajtjes më armë zjarri me dy persona të lënduar. Të lënduarit (një qytetar dhe zyrtari policor) janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK dhe sipas mjekëve ndodhen jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy vetura, dy armë zjarri – njëra armë zyrtare revole e llojit ‘Glock 19’, një revole ‘Zastava’, 16 gëzhoja dhe një predhë. Pas kontakteve me Prokurorinë Themelore në Ferizaj e cila është njoftuar për të gjitha veprimet fillestare hetimore, janë arrestuar katër të dyshuar (zyrtari policor dhe tre qytetarë të dyshuar) kurse të njëjtëve me vendim të prokurorisë u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.
IPK-ja ka thënë se ka rekomanduar suspendimin e policit.
“Hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprave penale ‘Vrasje në tentativë’, ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Dhënie ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale’. Bazuar në autorizimet ligjore, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e zyrtarit policor të përfshirë në këtë rast. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës dhe njësitet tjera policore pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”.