
Dyshohet se gjuajtën me armë në një aheng familjar, ndalohen dy persona
Dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin se kanë shtënë me armë në një aheng familjar në Dragash.
Sipas njoftimit të Policisë, të shtunën rreth orës 22:40 Policia ka pranuar dy videoincizime, në të cilat shfaqen dy persona duke shtënë me armë zjarri nga ballkoni i një shtëpie, gjatë një gazmendi familjar.
“Pas angazhimeve të njësive operacionale, është identifikuar se aktiviteti është zhvilluar në fshatin Zaplluxhe, Dragash. Më datën 20.07.2025, pas konsultimit me prokuroren e Shtetit, është marrë udhëzimi për të identifikuar personat që kanë shtënë me armë. Njësitë policore kanë filluar hetime, me ç’rast janë identifikuar dy të dyshuar, të cilët kishin shtënë nga ballkoni i shtëpisë së tyre”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia po ashtu ka bërë të ditur se të dyshuarit kanë dorëzuar vullnetarisht dy armë – pistoleta me gaz, si dhe tre gëzhoja, për të cilat kanë deklaruar se janë përdorur gjatë ahengut.
“Personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor në Dragash, ndërsa prokurorja e Shtetit ka urdhëruar që të intervistohen në prani të avokatit dhe ka lëshuar Aktvendim për ndalim në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në njoftimin e PK-së.