Tentim vrasja në Kolovicë, Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve
Foto: Laura Hasani

Tentim vrasja në Kolovicë, Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve

Kronika July 21, 2025 - 14:51

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në fjalën përfundimtare të hënën, prokurori Arben Hoti kërkoi që të akuzuarit Fitim Doda dhe Arijan Sijarina të dënohen.

Kurse mbrojtësi i Dodës, avokati Bekim Kelani, kërkoi aktgjykim lirues, ndërkaq avokatja e Sijarinës, Shemsie Asllani, kërkoi dënim të butë për të mbrojturin e tij.

Në këtë rast, Fitim Doda po akuzohet për tentim vrasjen që ndodhi më 26 mars 2024 në Kolovicë dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Arijan Sijarina po akuzohet për veprën penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurori Hoti tha se nga veprimet e të akuzuarit Doda është plotësuar figura e veprës penale të “Vrasjes në tentativë” dhe se nuk ka prova se i dëmtuari Naim Berisha ka gjuajtur me armë e që pastaj i akuzuari Doda të vepronte në mbrojtje të nevojshme.

Hoti tha se nga provat e administruara është vërtetuar se Doda ka gjuajtur gjashtë herë në drejtim të Berishës dhe atë në formë horizontale të gjuajtjes dhe jo vertikale.

Sipas prokurorit, nga gjuajtja me armë, Berisha kishte mbetur i lënduar në pjesën e qafës.

Në fund, prokurori Hoti kërkoi që Doda të shpallet fajtor, duke theksuar se i njëjti është i dënuar edhe me gjashtë aktgjykime të tjera dënuese.

Kurse për Sijarinën, kërkoi që si rrethanë lehtësuese të merret fakti i pranimit të fajësisë gjatë gjykimit.

Në anën tjetër, avokati i Dodës, Bekim Kelani kërkoi aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij, me arsyetimin se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë dashjen e të akuzuarit.

Po ashtu, Kelani tha se vetë i dëmtuari Berisha dy herë i kishte dalë në pritë Dodës, ku në herën e parë e kishte goditur me veturën e tij veturën e të akuzuarit.

Më pas, avokati tha se veprimet e Dodës kanë qenë në kuptim të mbrojtjes së jetës dhe trupit, pasi që Berisha ka ndërmarrë veprime në drejtim të tij, sa që edhe ia ka drejtuar armën. Tha se i gjithë incidenti ka ndodhur si rezultat i veprimeve të Berishës.

Ndërkaq, vetë Doda tha se kishte gjuajtur gjashtë herë me armë, duke sqaruar se nuk i ka shkrepur të gjithë plumbat. Tha se këtë e ka bërë me qëllim të mbrojtjes së jetës pasi që i akuzuari Sijarina paraprakisht kishte thënë “na vrau Berisha”.

Ndërkaq, avokatja Asllani tha se Gjykata duhet të japë dënim të butë ndaj Sijarinës, pasi që i njëjti për këtë rast ka qëndruar në paraburgim.

Më pas, gjykimi u shpall u përfunduar dhe në seancën e radhës pritet të shpallet aktgjykimi.

Në seancën fillestare më 25 mars 2025, Fitim Doda ishte deklaruar i pafajshëm për tentim vrasjen që ndodhi më 26 mars 2024 në Kolovicë, dhe për armëmbajtje pa leje, kurse Arijan Sijarina pranoi fajësinë për moslajmërim të veprës penale.

Në seancën e 27 majit 2025 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Fitim Doda pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, kurse i akuzuari Arijan Sijarina për veprën penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”. Gjykata miratoi pranimin e fajësisë për këto dy vepra penale, ndërsa gjykimi do të vazhdojë për vrasje në tentativë, derisa shpallja e aktgjykimit edhe për veprat që u pranua fajësia do të bëhet në fund të shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Fitim Doda më 26 mars 2024 rreth orës 13:50 në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, për shkak të një mosmarrëveshje paraprake mes vete, me dashje dhe me armë zjarri tenton ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Naim Berisha.

Aty thuhet se derisa i akuzuari Doda ishte duke lëvizur me veturën VW Golf 7, pronë e tani të ndjerit E.H., të cilën e drejtonte vetë Doda ndërsa pasagjer në ulësen e përparme ishte i pandehuri Arian Sijarina, ndalojnë veturën në kryqëzim të rrugës “Haxhi Zeka”, me ç’rast Fitim Doda nga brendia e veturës me armë zjarri AK-47 shtie disa herë në drejtim të veturës të cilën e drejtonte i dëmtuari Naim Berisha, ku nga predhat e shkrepura, njëra e godet të dëmtuarin duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor me pasojë të përkohshme për shëndetin.

Me çka, Doda akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë” nga Neni 172 lidhur me Nenin 28 të Kodit Penal.

Po ashtu, Doda akuzohet se me dashje dhe vetëdije e në kundërshtim me dispozitat ligjore e pa autorizim, nga koha e pavërtetuar e deri në ditën kritike pa leje ka poseduar armën e llojit “AK-47”.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 të Kodit Penal.

Ndërsa, Arijan Sijarina akuzohet se nga 26 marsi 2024 rreth orës 13:50 në rrugën “Haxhi Zeka” e deri më 24 prill 2024 në Prishtinë, me dashje dhe vetëdije duke qenë në dijeni për kryerësin e veprës penale të “Vrasjes në tentativë”, nuk e lajmëron faktin e tillë e as vendndodhjen e të dyshuarit.

Me këtë veprim, akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga Neni 378, par. 1 pika 1.2 të Kodit Penal.

Kujtojmë se mbrëmjen e asaj dite (26 mars 2024) u vranë dy persona. Për vrasjen në fjalë dyshohet i dëmtuari në këtë rast Naim Berisha bashkë me vëllain e tij Ahmet Berisha, të cilët edhe ishin shpallur kërkim nga Policia. Të dy dyshohen se kanë vrarë E.H. 30-vjeçar dhe Z.G, një grua 48-vjeçare, e cila nuk ishte e përfshirë në rast, por ishte në veturë afër shtëpisë së saj. Ajo pas plagëve të marra kishte ndërruar jetë në QKUK një ditë pas ngjarjes. /BetimipërDrejtësi