
Aktakuzë prizrenasit që vrau një shtetas irakian në bjeshkët e Vërmicës
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.A., i cili gjenden nën masën e paraburgimit nga data 15.10.2024 për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi”.
Prokuroria ka njoftuar se rasti ka të bëjë me vrasjen e një shtetasi irakian me inicialet J.H., i cili kishte mbetur i vdekur në bjeshkët e Vërmicës, transmeton Zeri.info.
Sipas aktakuzës, i pandehuri M.A., më dt. 17-18.06.2022, në kohë të pacaktuar, në rrugët malore në afërsi të fshatit Vërmicë në Prizren, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të grupit të tij dhe grupit të të ndjerit J.H.– shtetas Irakian lidhur me kontrabandimin e migrantëve sirianë në territorin e Kosovës duke vepruar i armatosur me dashje privon nga jeta të ndjerin J.H. duke shtënë me armë pistoletë të kalibrit 7.65x17 mm, në drejtim të të ndjerit, ku sipas konkluzionit të autopsisë MA-22-193, të Dr. Naim Halitit, vdekja e të ndjerit është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme si pasojë e rupturës së mushkërisë së majtë të shkaktuar nga predha e armës, po ashtu, me këtë rast gjatë të shtënave me armë ka vë në rrezik edhe jetën e personave tjerë migrantë te cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin në bjeshkët e fshatit Vërmicë, e gjithë kjo me qëllim të eliminimit të grupit të të ndjerit dhe përfitimit të dobisë pasurore lidhur me kontrabandimin e migrantëve, ku pas ekzaminimit të telefonit të akuzuarit janë gjetur fotografi, video-incizime të vrasjes të ndjerit në vendin e ngjarjes si dhe nga transkriptimi i bisedave të zhvilluara në rrjetin social “Whats app” në bazë të komunikimit me personin e tretë N.N., e pranon se e ka vrarë njërin nga grupi i kurdëve, Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së
“Po ashtu i njëjti ka poseduar pa leje valide armën - pistoletë të kalibrit 7.65x17 mm,, me të cilën ka privuar nga jeta të ndjerin J.H. gjë që shihet nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Zëri