“Festo me zemër, jo me armë” - për gjashtë muaj u konfiskuan 849 armë zjarri

“Festo me zemër, jo me armë” - për gjashtë muaj u konfiskuan 849 armë zjarri

Kronika July 23, 2025 - 15:35

Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në operacione të ndryshme të ndërmarra, ka konfiskuar 849 armë zjarri të llojeve të ndryshme dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2024 thonë se është shënuar një ngritje për 12 për qind.

Gjithashtu kanë treguar se janë konfiskuar mbi 16 mijë sasi të municionit të kalibrave të ndryshëm dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2024 sipas tyre, është shënuar një ngritje për 3,37 për qind.

Policia thotë se duke pasur parasysh edhe fluksin e shtuar të qytetarëve dhe numrin e madh të ceremonive festive, ahengjeve në këtë pjesë të vitit, si masë preventive, ka realizuar fushata të ndryshme dhe po ashtu ka shpërndarë broshura vetëdijesuese, që të festohet në mënyrë të qetë, pa incidente e pa përdorim të mjeteve të rrezikshme dhe të armëve.

Image

“Po ashtu raste të përdorimit dhe posedimit të armëve janë evidentuar edhe në 24-orëshin e fundit, e që kanë përfshirë Prishtinën, Obiliqin, Lipjanin, Podujevën, Klinën, Gjakovën, Mitrovicën e Jugut dhe Pejën, ku në tetë raste të ndara janë konfiskuar: 1 armë e gjatë AK-47, 7 armë të shkurtra, 1 pushkë ajrore, 9 karikatorë dhe rreth 300 fishekë të kalibrave të ndryshëm, ndërsa katër persona janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje”, thotë Policia e Kosovës në njoftim.

Kanë apeluar tek të gjithë qytetarët të shmangin përdorimin dhe posedimin e armëve të zjarrit në përgjithësi, e në veçanti në ceremoni festive, të festojnë me dinjitet dhe maturi, në të kundërtën thonë se do të përballen me ligjin.

Image