Aktakuzë ndaj një personi për vrasjen e shtetasit irakian në Vërmicë

Aktakuzë ndaj një personi për vrasjen e shtetasit irakian në Vërmicë

Kronika July 23, 2025 - 15:36

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.A. për “Vrasje të rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ai ngarkohet për vrasjen e J.H. (shtetas irakian) në afërsi të fshatit Vërmicë në Prizren.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit nga 15 tetori 2024, raporton Zeri.info.

Po ashtu në njoftimin e Prokurorisë thuhet se rasti kishte ndodhur në qershor të 2022-ës dhe se mosmarrëveshja kishte nisur lidhur me kontrabandimin e shtetasve sirianë në Kosovë.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri M.A., më dt. 17-18.06.2022, në kohë të pacaktuar, në rrugët malore në afërsi të fshatit Vërmicë në Prizren, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të grupit të tij dhe grupit të të ndjerit J.H.– shtetas Irakian lidhur me kontrabandimin e migrantëve Sirian në territorin e Kosovës duke vepruar i armatosur me dashje privon nga jeta të ndjerin J.H. duke shtënë me armë pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm, në drejtim të të ndjerit, ku sipas konkluzionit të autopsisë MA-22-193, të dr. Naim Halitit, vdekja e të ndjerit është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme si pasojë e rupturës së mushkërisë së majtë të shkaktuar nga predha e armës, po ashtu, me këtë rast gjatë të shtënave me armë ka vë në rrezik edhe jetën e personave tjerë migrantë te cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin në bjeshkët e fshatit Vërmicë, e gjithë kjo me qëllim të eliminimit të grupit të të ndjerit dhe përfitimit të dobisë pasurore lidhur me kontrabandimin e migrantëve”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se në telefonin e të akuzuarit janë gjetur fotografi dhe video-incizime të vrasjes së tani të ndjerit, dhe se në bisedat e zhvilluara në “WhatsApp” ka pranuar vrasjen.

" Pas ekzaminimit të telefonit të akuzuarit janë gjetur fotografi, video-incizime të vrasjes të ndjerit në vendin e ngjarjes si dhe nga transkriptimi i bisedave të zhvilluara në rrjetin social ‘WhatsApp’ në bazë të komunikimit me personin e tretë N.N., e pranon se e ka vrarë njërin nga grupi i kurdëve”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, i pandehuri M.A., akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga Neni 173, par. 1, nënpar. 1.5 dhe 1.6 të Kodit Penal.

“Po ashtu i njëjti ka poseduar pa leje valide armën – pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm,, me të cilën ka privuar nga jeta të ndjerin J.H. gjë që shihet nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët”, njofton Prokuroria.

Me këto veprime, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga Neni 366, par. 1 të Kodit Penal.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. /Zëri