
Disa të mitur nga Suhareka përdhosin flamurin kombëtar, Policia: Kanë pranuar veprimin dhe janë penduar
Disa pamje të shqyerjes së flamurit kombëtar janë shpërndarë në media, ku duket një i ri duke e shqyer flamurin, ndërsa më pas një veturë e shkel atë.
Në prapavijë të pamjeve dëgjohen thirrje të ndryshme, ku disa individë në gjuhën shqipe i kërkojnë personit të ndalojë veprimin, ndërsa të tjerë e motivojnë.
Lidhur me këtë rast, në një konfirmim për Sinjalin, Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë në rajonin e Prizrenit, tha se të miturit nga Studençani i Suharekës janë intervistuar nga policia në prani të prindërve dhe kanë pranuar veprimin, duke theksuar se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi dhe janë penduar.
“Prokurori përgjegjës, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se nuk ka bazë për hetim penal, pasi veprimi është kryer pa vetëdije dhe pa qëllim nxitjeje të urrejtjes. Rasti është mbyllur me raport njoftues”, tha tutje ai.