
Lirohen nga akuza tre zyrtarët e Komunës së Obiliqit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj zyrtarëve të Komunës se Obiliqit: Merita Simnica, Burim Gërguri dhe Ibrahim Krasniqi, lidhur me akuzën për korrupsion.
Në këtë rast, Merita Simnica si shefe në Drejtorinë për Planifikim Urban, Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, Burim Gërguri si kryesues i Kuvendit Komunal të Obiliqit dhe Ibrahim Krasniqi si inspektor i ndërtimit në këtë komunë, akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të enjten nga gjyqtarja Alltën Murseli.
Gjyqtarja Murseli tha se të akuzarit lirohen nga akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi nuk është provuar se kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.
Shpenzimet e procedurës penale bien në llogari të mjeteve buxhetore të kësaj gjykate. Ndërkaq, për të dëmtuarën– Komuna e Obiqilit, gjykatësja njoftoi se nuk ka parashtruar kërkesë pasurore-juridike.
Gjyqtarja Murseli njoftoi se palët arsyetimin e këtij aktgjykimi do ta pranojnë me kohë.
Kundër këtij aktgjikimi, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 30 ditësh pas pranimit të akgjykimit.
Ndryshe, me të njëjtën aktakuzë për këtë vepër penale (keqpërdorim i detyrës zyrtare) ngarkohej edhe Arben Berisha, si drejtor në Drejtorinë për Planifikim Urban, Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit.
I njëjti pasi kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare të 15 shkurtit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar me 3 mijë e 600 euro gjobë.
Ndryshe, prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Merrushe Llugiqi, më 30 shtator 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj, Arben Berishës, Merita Simnicës, Burim Gërgurit dhe Ibrahim Krasniqi. Të katër këta të akuzuar, nga Prokuroria ngarkoheshin me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Arben Berisha si drejtor në Drejtorinë për Planifikim Urban, Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit dhe Merita Simninca- shefe në këtë Drejtori, me qëllim që t’i sjellin çfarëdo dobie pasurore vetes apo tjetrit, në këtë rast Blerim Krasniqit- pronar i fabrikës së mobileve “Berto”, kishin keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit e kishin bërë një gjë të tillë pasi kishin lëshuar leje ndërtimore më 3 prill 2019 për ndërtimin e fabrikës së mobilieve “Berto”, në kundërshtim me udhëzimin administrativ nr.41/2006 dhe Ligjit për tokën bujqësore. Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë qenë në dijeni se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e kishte refuzuar kërkesën e Blerim Krasniqit për ndërrimin e destinimit të tokës në fjalë nga bujqësore në jobujqësore.
Ndërsa, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Burim Gërguri akuzohej se edhe pse kishte qenë në dijeni për vendimin e lartcekur të Ministrisë së Bujqësisë, më 26 dhjetor 2018 kishte nënshkruar një vendim me të cilin e kishte aprovuar kërkesën e Blerim Krasniqit për ndërrimin e destinimit të tokës nga bujqësore në jobujqësore, vendim i cili sipas Prokurorisë ishte nxjerrë në kundërshtim me ligjin për tokën bujqësore, udhëzimin administrativ nr.41/2006 dhe në kundërshtim me planin zhvillimor komunal dhe urban 2009-2020 të Komunës së Obiliqit.
Kurse, Ibrahim Krasniqi akuzohej se në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Obiliqit, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare gjatë viteve 2017 dhe 2018, ashtu që nuk ka ndërmarrë masat e duhura në pajtim me autorizimet e tij ligjore për ndërprerje të punimeve pa leje ndërtimi të bizneseve “SB Construction”, “Beni-1” dhe “Berto”.
Sipas aktakuzës, Krasniqi nuk i kishte ndaluar punimet në tri objekte të bizneseve të lartcekura, ashtu që të njëjtave ua kishte mundësuar përfundimin e punimeve pa u pajisur me leje ndërtimore.