Sindikata e Punëtorëve të RTK-së paralajmëron protesta nga 6 gushti
Foto: Laura Hasani

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së paralajmëron protesta nga 6 gushti

Kronika July 25, 2025 - 10:13

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrë menjëherë hapat e nevojshëm për ndarjen e mjeteve financiare për RTK-në, në përputhje me buxhetin e miratuar me ligj nga Kuvendi i Kosovës.

“Ekzistojnë zgjidhje të plota ligjore për të siguruar funksionimin e transmetuesit publik dhe për të parandaluar kolapsin institucional të RTK-së, e cila tashmë ndodhet në një gjendje alarmante financiare. Çdo vonesë shtesë rrezikon jo vetëm misionin kushtetues të RTK-së, por edhe mundësinë që qindra punëtorë të mbesin pa paga, duke i ekspozuar ata dhe familjet e tyre ndaj pasigurive serioze sociale”.

“RTK-ja nuk ka qenë dhe nuk është barrë për shtetin – ajo është një aset shtetëror i pazëvendësueshëm që kontribuon në informimin e drejtë të qytetarëve, përfaqësimin e të gjitha komuniteteve dhe forcimin e demokracisë në vend. Mospërmbushja e obligimeve financiare ndaj RTK-së përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe rrezikon funksionimin e vet të transmetuesit të vetëm publik në Kosovë”, thuhet në reagim.

SPERTK-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore të trajtojnë kërkesat e tyre legjitime dhe të mbështetura në bazë ligjore.

“Kërkojmë që RTK-ja të trajtohet me ligjshmëri, përgjegjësi dhe meritokraci – ashtu siç i takon një institucioni që i shërben interesit publik dhe qytetarëve të të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës”.

Ata kanë paralajmëruar se nëse deri më 5 gusht nuk ka alokim të mjeteve financiare, do të nisin protestat nga 6 gushti, transmeton Zeri.info.

“Nëse deri më 5 gusht nuk bëhet alokimi i mjeteve financiare për RTK-në, Sindikata do të nisë protestat e paralajmëruara. Njëkohësisht, SPERTK-ja do të kërkojë që të pezullohet mbulimi i çdo aktiviteti politik nga RTK dhe do të ndërmarrë hapa ligjorë përmes padive në gjykatë ndaj të gjithë përgjegjësve për situatën e krijuar. SPERTK-ja mbetet e vendosur në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe misionit të transmetuesit publik”, thuhet në reagim. /Zëri