
Dosja e Prokurorisë ndaj Popoviqit: Me fjalimin e tij nxiti publikisht urrejtje dhe mosdurim midis serbëve dhe shqiptarëve
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 korrik 2025, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, pasi u arrestua në pikën kufitare të Bërnjakut nën dyshimin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën e Prokurorisë Speciale, përmes të cilës është kërkuar që Popoviqit t’i caktohet masa e paraburgimit, nën dyshimin se nxiti urrejtje mes shqiptarëve dhe serbëve përmes fjalimit të tij në Rahovec.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me dashje dhe dijeni, më 18 korrik 2025, rreth orës 12:00, në Rahovec, i ishte drejtuar një mase të papërcaktuar të personave duke pasur në dijeni se fjalimi i tij përcillet nga mediat, me fjalimin e tij ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis serbëve dhe shqiptarëve me fjalët me përmbajtjen – mënyrën që mund të prishë rendin publik.
Në Dosje citohen fjalët që dyshohet se Popoviqi i kishte thënë gjatë fjalimit në Rahovec:
“… Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu…”.
“… Pak janë për shkak të krimet të rënda që kanë ndodhur në tërë Metohinë, nga të cilët më i rëndi ishte vrasja e fëmijëve në Gorazhdec dhe se të shpërngulurve në çdo mënyrë u mohohet kthimi…”.
“…. Neve na mbetet të jemi krenar me trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe, që këtu të ndërtohen shtëpi serbe dhe shkolla serbe, të lindin fëmijët serbë, të ekzistojnë institucionet serbe dhe kjo është detyrë e Zyrës për Kosovën e Metohinë dhe për Qeverinë e Serbisë”, thuhet në kërkesë.
Andaj sipas Prokurorisë, Popoviqi dyshohet se ka nxitur në mënyrë publike urrejtje dhe përhapur mosbesimin e mostolerancën në diversitetin e grupeve kombëtare që jetojnë në Kosovë dhe ka cenuar bashkëjetesën e serbëve dhe shqiptarëve që po jetojnë në Kosovë.
Me këto veprime, Popoviqi dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, Neni 141, paragrafi 1 i Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Sipas PSRK-së, paraburgimi duhet të caktohet pasi janë përmbushur kushtet për caktimin e kësaj mase dhe se kundër të pandehurit kanë filluar hetimet, ai nuk ka vendbanim apo vendqëndrim në Kosovë, dhe se është shtetas i Serbisë, e cila rrethanë paraqet rrezik real për ikjen e tij, rrjedhimisht ta zvarrisë procedurën penale.
Ndryshe, Policia kishte raportuar se Popoviqit gjatë ndalimit i janë sekuestruar edhe dy telefona.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar se “institucionet e sigurisë nuk do të tolerojnë ofendimet dhe shtrembërimet e historisë së Kosovës”, duke shtuar se ndaj Popoviqit do të veprohet në përputhje me ligjet në fuqi.