Ende asnjë gjurmë, vazhdojnë kërkimet për 33-vjeçarin që dyshohet se u mbyt në liqenin e Ujmanit
Foto: Laura Hasani

Ende asnjë gjurmë, vazhdojnë kërkimet për 33-vjeçarin që dyshohet se u mbyt në liqenin e Ujmanit

Kronika July 29, 2025 - 08:15

Operacioni i kërkimit për mërgimtarin që ra të dielën në liqenin e Ujmanit po vazhdon ende. Ende nuk ka ndonjë gjurmë të tij. Të dielën pasdite ai u hodh në liqenin e Ujmanit dhe nuk u pa më në sipërfaqe.

Policia dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar për ta gjetur 33-vjeçarin, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë nga ai.

Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka thënë mbrëmë se operacioni i kërkimit duke vazhduar dhe se çdo informacion zyrtar do të bëhet publik vetëm nga institucionet kompetente dhe ekipet e përfshira në terren.

“Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njofton opinionin publik se informacionet që po qarkullojnë në rrjete sociale lidhur me lokalizimin e trupit të personit të mbytur në Ujman janë të pabazuara dhe pa fakte.

Kërkimet ende janë në vazhdim dhe çdo informacion zyrtar do të publikohet vetëm nga institucionet përkatëse dhe nga ekipet e angazhuara në terren. Lusim qytetarët dhe mediat që të mos shpërndajnë lajme të pavërteta që vetëm sa krijojnë konfuzion dhe pengojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftim.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se po shpresojnë ta gjejnë trupin e tij, teksa u ka bërë apel qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura atje, shkruan Reporteri.net

“Qytetarët dhe mërgimtarët të cilët vijnë këtu mos ta shohin këtë urë si distancë të vogël, lartësi të vogël që mos me u hudh nga ky vend. Nga ky vend janë hudhur profesionistët e ata i kanë parë në televizion, e për këtë arsye e marrin guximin mos u hudh. Duhet me pasë kujdes sepse tash na ka mbetur të shpresojmë me e gjetë vetëm trupin. Jemi afër familjes, po mundohemi të mos spekulojmë shumë, po mundohemi të mos flasim shumë për arsye se dhimbja është e madhe për familjarët. Shpresojmë që kanë me pasë sukses institucionet që janë këtu”, ka thënë Elshani.

Ai ka folur edhe për mungesën e sinjalistikës në atë zonë, teksa përgjegjësinë për këtë e ka hedhur tek komuna dhe ndërmarrja Ibër-Lepenci.

“Do të bisedojmë me Ibër-Lepencin, për të parë nëse është kompetencë e tyre apo e Komunës vendosja e sinjalistikës. Besoj se Ibër-Lepenci do ta kryejë këtë punë. Sinalistika mund të jetë aty, por nëse qytetarët vendosen të hidhen aty, ata do të hidhen. Pra, duhet të ekzistojë një vetëdijesim”, ka deklaruar Elshani.

Policia ka njoftuar për rastin edhe në raportin 24-orësh.

“Vdekje e dyshimtë - Zubin Potok, 27.07.2025 - 14:25. Raportohet se viktima mashkull ishte futur në liqenin e Ujmanit, mirëpo nuk ka dal më në sipërfaqe. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, njësia për kërkim dhe shpëtim, njësia e zhytësve dhe ekipi nga emergjenca, ku po vazhdojnë kërkimet për viktimën”.

Shefi i Operativës Rajonale në Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza, ka thënë gjatë së dielës se viktima është hedhur për t’u larë, por nuk ka dalë më nga uji.

“E saktë është që një person ka kërcy nga ura dhe nuk ka dalë nga uji. Në vend të ngjarjes janë njësitet policore dhe emergjenca, janë thirrë njësia e zhytësve”, kishte deklaruar ai.