
Gjendet trupi i mërgimtarit që humbi jetën në Ujman
Pas disa ditësh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i mërgimtarit 33-vjeçar, i cili dyshohet se u hodh nga ura në Liqenin e Ujmanit më 27 korrik 2025.
Trupi i tij është lokalizuar nga ekipet e kërkim-shpëtimit, përfshirë njësitë e zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët ishin angazhuar që nga dita e raportimit të rastit, në kuadër të një operacioni humanitar të koordinuar.
Lajmi është konfirmuar nga vetë FSK përmes një komunikate për media.
“Pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe koordinimeve me partnerët për angazhimin e ekipeve të FSK-së, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka urdhëruar ekipet e Kërkim-Shpëtimit në ujëra për realizimin e operacionit humanitar në kërkim të personit të raportuar si i zhdukur,” thuhet në njoftim.
Sipas FSK-së, me pranimin e urdhrit, ekipet kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe KFOR-in, kanë zhvilluar kërkime intensive në zonën e liqenit.
“Falë intensitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi, u arrit të lokalizohet dhe evakuohet trupi i pajetë i viktimës,” thuhet tutje në njoftim.
Trupi i viktimës është dorëzuar tek Policia e Kosovës dhe ekipi i forenzikës për procedurat e mëtejme ligjore.