Aktakuzë ndaj një personi për dhunën ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan gjatë vitit 2023
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë ndaj një personi për dhunën ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan gjatë vitit 2023

Kronika July 30, 2025 - 14:59

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë ndaj M.A. për katër vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale” – huliganizëm, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge”, “Posedim i paautorizuar i armëve”.

Sipas aktakuzës, më 29.05.2023, që nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri M.A. i ka sulmuar dhe seriozisht i ka kanosur disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, shufra të ndryshme, koktej molotovi dhe mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri.

M.A. akuzohet se, edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës, së bashku me të pandehurit tjerë kishin filluar të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar.

Si pasojë e këtyre veprimeve, të cilat M.A., sipas aktakuzës, i ka kryer në koordinim me shumë të pandehur të tjerë, janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, janë shkaktuar lëndime të rënda trupore tek disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, si dhe dëme të mëdha materiale në automjete zyrtare dhe të gazetarëve që kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite.

Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për konfiskimin e një arme zjarri dhe shkatërrimin e substancave narkotike në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, të cilat janë sekuestruar gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore ndaj të pandehurit.

PSRK-ja i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor.