“G-Class” në rërë, 23-vjeçari bën xhiro buzë detit në Lezhë

“G-Class” në rërë, 23-vjeçari bën xhiro buzë detit në Lezhë

Kronika August 06, 2025 - 10:18

Policia e shtetit ka dënuar një shofer, i cili me automjetin e tipit “G-Class” kishte lëvizur në breg të detit, duke cenuar sigurinë e pushuesve në Vain të Lezhës.

Policia njofton se në përfundim të veprimeve procedurale, 23-vjeçari u ndëshkua për shkeljen e kryer, me 50 000 lekë gjobë.

“Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, menjëherë pas publikimit të një video-je në portalin “JOQ Albania”, në të cilën shfaqet një automjet tip “G-Class” duke lëvizur në brezin e rërës në breg të detit, në plazhin e Vainit, kryen verifikimet, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të drejtuesit të automjetit. Në përfundim të tyre, u identifikua dhe u shoqërua në komisariat, shtetasi A. N., 23 vjeç, banues në Lezhë. Ai u ndëshkua me masë administrative 50 000 lekë, për shkelje të neneve 7 dhe 139 të Kodit Rrugor”, njofton Policia.

Policia e Lezhës falënderon qytetarët dhe median për kontributin për evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe fton që të vijojnë të denoncohen raste të tilla, pasi reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe konform ligjit.